Përfaqësuesja braziliane e futbollit arriti të bindë dhe të fitojë në miqësoren e radhës, ku trajneri Tite eksperimentoi me skemat dhe formacionin, por nuk u kursye në lojën e bukur.
Selesao triumfoi thellë 3-0 ndaj Koresë së jugut në 90 minutëshin e zhvilluar në Abu Dabi, madje nuk munguan dhe golat spektakolarë.
Pas provës së dështuar ndaj Argjentinës, talenti Lukas Paketa’ iu përgjigj më së miri kritikave duke nderuar fanelën me numrin 10 që mban mbi supe. Mesfushori i Milanit arriti të zhbllokonte garën ndaj aziatikëve pas vetëm 9 minutash, me një zhytje me kokë pas asistit të Renan Lodi.
Por në kopertinën e miqësores së Abu Dabit u vendos dikush tjetër. Anësori i Juventus, Danilo u bë protagonist me një të djathtë të fortë nga distanca që ishte dhe goli i fundit i takimit e që meritoi edhe duartrokitjet e tifozëve kundërshtarë. Më herët para pushimit, mesfushori ofensiv i Bajernit të Mynihut, Kutinjo dyfishoi me një goditje dënimi, në ndeshjen ku koreanët nuk patën asnjëherë shanse reale për ta fituar.
Top Channel