Italia që nuk e kemi parë asnjëherë, mjeshtrit e skemave dhe fazës mbrojtëse, origjina e portierëve të mëdhenj dhe mbrojtësve me saktësi kompjuterike është kthyer në Italinë e “Joga Bonito” (lojës së bukur).

37 gola të realizuar, 10 fitore në 10 ndeshje në grup, 9 rekorde të thyera, një ekip që dominoi tërësisht dhe nuk e vendosi për asnjë çast në diskutim kualifikimin në finalet e Europianit, duke e dërguar në dhomën e harresës atë apokalips sportiv me Suedinë, që i mohoi Botërorin e Rusisë. 24 futbollistë ka bërë të debutojnë trajneri Roberto Mancini dhe vështirësia më e madhe është të përzgjedhësh 23 lojtarët për në Evropian.

Nuk diskutohet që të kaltrit kanë një tjetër guaskë, shumë më të fortë se në vitet e kaluara dhe meritë, përveç grupit të talentëve që po fitojnë me shpejtësi madhësinë e “yjeve”, ka edhe Roberto Mancini. Mori në duar një përfaqësuese të dërrmuar psikologjikisht e teknikisht dhe ia doli të shndërronte “rosakun” e shëmtuar në një “mjellmë” mbretërore.

Performancat e dhuruar në këto kualifikuese i kanë siguruar vazon kryesore në shortin e ardhshëm të Europianit që do të hidhet pas ndeshjeve play-off të Nations League, në mars, por në mënyrë paradoksale ajo vazo e parë mund t’i përplasë me rivalë të frikshëm si Franca kampione e botës, që ndodhet në vazon e dytë, apo Portugalinë e Ronaldos kampione e Europës në fuqi, që gjendet në vazon e tretë. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, që kjo Itali i ka mjetet për të gjunjëzuar këdo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA