Është Uellsi skuadra e 20-të dhe e fundit që siguroi një biletë në fazën finale të Euro 2020 nëpërmjet 10 grupeve kualifikuese. Britanikët mposhtën në shtëpi 2-0 Hungarinë falë dy golave të mesfushorit të Juventusit Aaron Ramsey, duke djegur Sllovakinë dhe pikërisht Hungarinë që gjithsesi do të luajnë shanset e tyre në play-offin e Nations League.
Gjysmëfinalistët e Euro 2016 ishin shumë të fortë për përfaqësuesen maxhare falë edhe dy yjeve të tyre Ramsey dhe Bale që bënë diferencën në këtë ndeshje. Nuk i shërbeu aspak fitorja 2-0 Sllovakisë ndaj Azerbajxhanit, pasi Uellsi u ngjit në kuotën e 14 pikëve në grupin E, 1 më shumë se sllovakët dhe 2 më shumë se Hungaria, ndërsa si e para e grupit ishte kualifikuar që më herët Kroacia.
E mbylli me pikë të plota ndërkohë Belgjika që ashtu si Italia një ditë më parë, fitoi ndeshjen e saj të 10-të, pasi mposhti me rezultatin e thellë 6-1 Qipron edhe pse të parët në avantazh kaluan ishullorët. De Bruyne dhe Benteke me nga dy gola ishin ata që spikatën më shumë në këtë sfidë. Me fitore e mbylli grupin I edhe Rusia që fitoi 0-5 në transfertë ndaj modestëve të San Marinos, ndërkohë që Skocia siguroi vendin e tretë falë fitores 3-1 ndaj Kazakistanit.
Në grupin C, fitore me goleada për dy gjigandët Gjermaninë dhe Holandën. Pancerat mposhtën 6-1 me përmbysje Irlandën e Veriut në Frankfurt në një sfidë ku shkëlqyen dy lojtarët e Bayernit Serge Gnabry me 3 gola dhe Leon Goretzka me dy gola, ndërkohë që në fund shënoi edhe Julian Brandt. Holanda ndërkohë edhe pse e përfundoi grupin në vendin e dytë me dy pikë më pak se Gjermania, mposhti 5-0 Estoninë në një ndeshje ku kapiteni Wijnaldum realizoi tre herë ndërkohë që rrugën e rrjetës e gjetën edhe mbrojtësi Ake që zëvendësonte Van Dijk dhe talenti 18-vjeçar i Az Alkmaar Boadu i cili u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Depay dhe debutoi me gol.
Në grupin G ku të gjitha dilemat ishin zgjidhur Maqedonia e Veriut mposhti 1-0 Izraelin në sytë e trajnerit të Kosovës Bernard Challandes falë një goli të Nikolov në pjesën e parë. Fitore që i dha vendin e parë në grup Maqedonisë së Veriut me 14 pikë, kjo për meritë edhe të Polonisë që mposhti 3-2 Slloveninë.
Ndërkohë Letonia mori fitoren e parë dhe pikët e para në këto kualifikuese pasi mposhti 1-0 Austrinë e kualifikuar. Me përfundimin e eliminatoreve janë përcaktuar edhe 16 skuadrat që në play-offin e Nations League do të garojnë mes tyre për 4 biletat e fundit në Europian në muajin mars.
Në Ligën A përveç Islandës që është skuadra e vetme nga kjo ligë që nuk ka siguruar një biletë do të peshkohen nga Liga C edhe 3 përfaqësuese mes Bullgarisë, Izraelit, Rumanisë dhe Hungarisë, pasi njëra prej tyre do të shkojë në play-offin e Ligës C ku bëjnë pjesë Skocia, Serbia dhe Norvegjia.
Ndërkohë në Ligën B, 4 skuadrat e vetme që nuk siguruan një biletë në Euro 2020 ishin, Bosnje Hercegovina që fitoi edhe grupin e saj në fakt dhe janë peshkuar Sllovakia, Republika e Irlandës dhe Irlanda e Veriut edhe pse këta të fundit nuk morën asnjë pikë në grupin e tyre në Nations League. Në Ligën dihen ekipet që janë Gjerogjia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bjellorusia.
Top Channel