Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në konferencën “Feja si instrument i paqes”, të organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së në Tiranë.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është shembull sesi feja ndihmon në ndërtimin dhe forcimin e paqes.

Duke numëruar të arriturat e Kosovës në këtë fushë, presidenti Thaçi ka përmendur si të arritur të parë faktin që gjatë luftës në Kosovë nuk është lejuar të implikohet feja, ndërsa duke folur për periudhën e pasluftës, ai ka theksuar rolin e fesë në ndërtimin e paqes dhe tolerancës, por edhe për luftimin e elementeve radikalë dhe ekstremistë.

“Më lejoni të flas pak për përvojën e Kosovës me fenë dhe paqen, si dhe të radhis disa të arritura që kemi bërë. E arritura e parë është që nuk kemi lejuar që në luftën e Kosovës për liri e pavarësi të implikohet feja”, ka thënë presidenti Thaçi.

E dyta, sipas tij, është se Kosova ka përfshirë fenë dhe liderët fetarë në përpjekjet për të ndërtuar paqe e mirëkuptim në mes njerëzve që nga përfundimi i luftës.

“Ndër iniciativat e para të mia si President i Republikës së Kosovës ka qenë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ndër përkrahësit e parë dhe kryesorë të kësaj iniciative kanë qenë pikërisht liderët fetarë në Kosovë, të të gjitha përkatësive religjioze”, ka thënë ai.

Ndërsa, e treta, sipas presidentit Thaçi, është që udhëheqësit fetarë në Kosovë kanë ndërtuar ura komunikimi dhe bashkëpunimi në mes tyre.

“Kështu dërgojnë mesazhin e tolerancës dhe bashkëjetesës dhe vendosin fenë në shërbim të paqes në Kosovë”, ka konkluduar presidenti Thaçi.

Në këtë konferencë po marrin pjesë udhëheqës të shteteve të rajonit dhe udhëheqës të bashkësive fetare nga e tërë bota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA