Sot më 17 nëntor shënohet një datë të rëndësishme për studentët, Dita Ndërkombëtare të Studentit.
Kjo datë përkujton 17 nëntorin e vitit 1939, datë kjo kur forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës, pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë dhe ekzekutuan pa gjyq të nëntë udhëheqësit e demonstratave studentore.
Gjithashtu, mbi 1.200 studentë u dërguan në kampet e përqëndrimit, u mbyllën të gjitha universitetet dhe i shndërruan në kazerma ushtarake. Për shkak të kësaj ngjarje të pashembullt, 17 nëntori është shpallur Dita Ndërkombëtare e Studentëve.
Ndërkohë, ditën e djeshme Lëvizja për Universitetin ka denoncuar disa veprime, sipas saj, të ashpra të Policisë së Tiranës kundër aktivistëve që po përgatiten për protestën studentore e paralajmëruar për në 4 dhjetor.
Kjo organizatë ka publikuar në rrjetet sociale një video që tregon momentin e përplasjes së policisë me aktivistët dhe shoqërimin e dy prej tyre për t’u marrë në pyetje. Ata pretendojnë edhe për presion nga administratorët e konvikteve.
Reagimi i Lëvizjes për Universitetin
QEVERIA NË PANIK
Sot policia e qeverisë ka marrë në pyetje dy aktivistë të Lëvizjes Për Universitetit të angazhuar në aksionin ndërgjegjësues në Qytetin Studenti. Arsyeja e marrjes së tyre në pyetje nuk ishte ndonjë shkelje e mundshme e ligjit, por kërkimi me ngulmim i informacioneve për planet dhe mënyrën e organizimit të Lëvizjes Për Universitetin në prag të protestës së 4 dhjetorit. Në presionin ndaj studentëve janë përfshirë edhe administratorët e konvikteve, të cilët i kanë kërcënuar aktivistët tanë me përjashtim nga konvikti nëse vazhdojnë rezistencën.
Policinë e qeverisë e këshillojmë të ndjekë veprimtaritë e faqes së Lëvizjes për të kuptuar çdo gjë që mund t’iu interesojë për mënyrën se si do të zhvillohet protesta e 4 dhjetorit. Kurse për administratorët e Qytetit Studenti po shohim mundësinë e ngritjes së një padie për kanosje dhe shpërdorim detyre.
Ne nuk ndalemi! Frika e tyre na frymëzon!
P.S.
Videoja shoqëruese tregon dhunën dhe rrugaçërinë e policëve gjatë tentativës së tyre për të prishur aksionin e së mërkurës.
Top Channel