Kosova nesër do ta luajë ndeshjen e fundit kualifikuese për në evropianin Euro 2020, ndaj kombëtares angleze.
Ani pse Kosova nuk ka gjasa për një kualifikim tutje, interesimi për këtë ndeshje si nga “Dardanët”, ashtu edhe nga tifozët e Anglisë është jashtëzakonisht i madh.
Sheshet e Prishtinës gjatë ditës së sotme janë mbushur me flamuj të shtetit të Anglisë, si dhe me tifozë të këtij shteti mik, që kanë ardhur për ta përcjellë nga afër kombëtaren e tyre, edhe pse disa ende nuk kanë arritur të gjejnë biletat.
Njëri nga tifozët me fat që kishte arritur të gjente biletë, ishte Michael Yuits, i cili kishte arritur gjatë ditës së djeshme në Prishtinë. Ai ishte i mahnitur me qytetin e Prishtinës e sidomos me sjelljen e qytetarëve të kryeqytetit ndaj tyre.
“Ne kemi arritur në Kosovë gjatë ditës së djeshme. Është shumë ndryshe nga se që kam paramenduar. Qyteti është mjaft i bukur, restorantet natën e kaluar kanë qenë shumë mirë, njerëzit janë shumë miqësor, kemi kaluar një kohë të mirë me ta. Në ndeshjen në Sauthampton, Kosova u paraqit mjaft mirë dhe mezi po pres ndeshjen e nesërme, po shpresoj që të shohim shumë gola dhe të jetë argëtuese për ne. Po të gjithë kemi bileta … 3000 tifozë pritet të vijnë në Kosovë dhe fatkeqësisht shumë prej tyre nuk do të kenë një biletë për nesër. Mendoj se Kosova do të shënojë, shënuan disa gola në Sauthamtpon, mendoj 3-1 për Anglinë”, tha ai.
Mirëpo njëri nga tifozët që kishte udhëtuar nga Anglia këtë mëngjes, ende nuk kishte gjetur biletë për të parë ndeshjen nga afër, megjithatë, David shpresonte që një të tillë ta gjejë nesër gjatë ditës.
“Mbërrita në Kosovë mëngjesin e sotëm. Shumë bukur, jemi ndjerë të mirëpritur dhe është shumë gjë e mirë nga ana juaj që keni vendosur flamujt anglezë dhe të Kosovës, vërtetë e vlerësojmë. Mendoj se ndeshja do të përfundojë barazim 5-5”, tha David.
Në sheshin “Zahir Pajaziti” të pranishëm ishin edhe përfaqësues të “Football Supporters Association”. Njëri nga ta i cili kishte ardhur nga Neëcastle, Matts tha se ata janë duke shpalosur informata rreth qytetit të Prishtinës, për tifozët anglez.
“Ne jemi në të gjitha ndeshjet që Anglia i luan jashtë dhe i pajisim tifozët anglezë me informacione të nevojshme. Informacione në lidhje me qytetin përmes hartave, për stadiumin, ne u japim informacione falas për të gjithë. Është një vend që nuk kemi qenë më parë dhe shumë tifozë anglezë janë të ngazëllyer sepse nuk kanë qenë në Kosovë. Mikpritja që iu rezervua atyre, me banera dhe vendasit kanë qenë të mrekullueshëm me ta. Shkëlqyeshëm. Ne mbërritëm mbrëmë vonë këtu dhe kemi shëtitur pak. Sot në mëngjes ishim në treg dhe në dyqane dhe ishte shumë mirë. Jam me fat sepse kam një biletë. 2-1 për Anglinë. Shpresoj që Kosova në “play-off” të bëjë një ndeshje të mirë dhe të kualifikohet edhe ajo gjithashtu në Evropian”, tha ai.
Kujtojmë që ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë luhet nesër me fillim nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./L.Gashi/kosovapress
Top Channel