Protestuesit jelekëverdhë nga e gjithë Franca, u mblodhën sërish në Paris, në përvjetorin e parë të fillimit të lëvizjes së tyre.

Disa persona u arrestuan, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe një përpjekje për të bllokuar hyrjen kryesore të qytetit, u zmbraps. Sidoqoftë, në disa zona, demonstruesit i vendosën zjarrin paletave të drunjta.

Demonstrimet e përjavshme që bënë që të paralizoheshin pjesë të Francës, në fund të vitit të shkuar, tashmë janë reduktuar në tubime më të vogla, që vazhdojnë të mbahen çdo të shtunë, me të njëjtat kërkesa. Por, tre të katërtat e francezëve, të anketuar së fundmi, thonë se lëvizja e njohur si jelekëverdhët, nuk është shuar ende. Lëvizja pa një lider është provuar tashmë si sfida më e ashpër për qëllimet reformiste të presidentit Macron. Për të ndaluar zemërimin në rritje, ai u detyrua të tërhiqej nga rritja e taksës së karburantit që e ndezi lëvizjen, dhe të ofronte masa shtesë, mes të cilave edhe reduktimin e taksës së pensioneve dhe rritjen e pagës minimale. Por, shumë jelekëverdhë mendojnë se kjo nuk mjafton…

Se cili do të jetë fati i lëvizjes, nuk mund të parashikohet, por jelekëverdhët e kanë arritur një objektiv; ata janë një grup njerëzish që thonë se kanë qenë të padukshëm, por që kanë gjetur një mënyrë që ti bëjnë zërat e tyre, të dëgjohen…

 

Top Channel