Challandes dhe Rrahmani shprehen optimist para ndeshjes me Anglinë

16/11/2019 17:34

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur konferencën e fundit për media para ndeshjes së nesërme ndaj Anglisë. Në këtë konferencë të pranishëm ishin trajneri i Kosovës, Bernard Challandes si dhe kapiteni i skuadrës, Amir Rrahmani.

Përzgjedhësi i Kosovës Bernaed Challandes, fillimisht u befasua me numrin e madh të mediave të pranishme në këtë konferencë.

Ai pohoi se ndeshja ndaj Anglisë do të jetë shumë e rëndësishme, për faktin se është e fundit para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, që Kosova e zhvillon në marsin e vitit të ardhshëm ndaj Maqedonisë.

“Për mua është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse kjo është ndeshja e fundit para Maqedonisë. Nëse ju kujtohet në filluam unë ju pata thënë se ne duhet ta përmirësojmë lojën tonë vazhdimisht dhe kjo ndeshja e fundit është një mundësi e mrekullueshme për ne. Për ne është një sfidë e mrekullueshme. Nuk duhet të harrojmë që Anglia është një ndër ekipet më të forta në botë, me një repart më të mirë të sulmit, që kanë shënuar shumë gola. Është ndeshja e 1001 e për Anglinë, ndërsa është ndeshja e 29-të për Kosovës”, tha fillimisht Challades.

Stërling është konfirmuar se do të paraqitet në këtë ndeshje dhe Challandes këtë e cilësoi një lajm shumë të keq për Kosovën, por sipas tij Anglia ka një skuadër cilësore, si me Stërlingun si pa të.

“Për ne nuk është një lajm i mirë sigurisht. Dy herë një lajm i keq, sepse Sterling është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe e dimë që kemi hasur në probleme të mëdha në ndeshjen e parë, është një ndër lojtarët më të mirë. Nuk është çështja vetëm te ai, sepse Anglia ka shumë lojtar cilësor, si Abraham e të tjerë. Sa i përket konfliktin me Gomez, unë do të mundohesha të kisha sjellje të mirë, po të isha në vend të Stërlingut. Pra çështja nuk është me apo pa Srërlingun, sepse e thamë edhe më herët se Anglia ka një skuadër shumë cilësore”, u shpreh Challandes.

Sa i përket shikuesve të cilët priten të jenë në një numër të madh të pranishëm në ndeshjen e nesërme, Challandes tha se kjo është e pritshme falë kampanjës së mirë të zhvilluar nga ekipi kombëtar i Kosovës.

“Është e qartë se ne kemi bërë një kampanjë të mirë dhe fansat tonë janë shumë të mirë. Kjo nënkupton që fansat tanë na mbështesin dhe kjo është ndeshja e fundit dhe luajmë ndaj një skuadër si Anglia. Janë të shumtë ata që duan t’i shikojnë ndeshjet e Kosovës. Natyrisht që në futboll ekziston shprehja që në futboll tifozët janë lojtari numri 12 dhe i 13-të, por ndaj Anglisë ne nuk do të na mjafton as kjo. Por nuk ka mundësi për këtë. Pra sigurisht që për Kosovën si vend do të thotë shumë kjo ndeshje e fundit, për ketë kampanjë. Na vjen mirë që e kemi këtë mundësi dhe mendoj që ata që do të jenë aty, do ta përjetojnë në maksimum këtë ndeshje”, pohoi Challandes.

Tutje Challandes tha se për Sterlingun Kosova nuk ka ndonjë përgjigjje individuale dhe do të mundohen si skuadër ta ndalin atë, pasi sipas tij gjëja e vetme për ta ndaluar atë është “t’ia thyejmë këmbën, por kjo nuk është mënyra e lojës së Kosovës”.

Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani u shpreh se edhe pse pësuan humbje më ndeshjen e fundit ndaj Republikës së Çekisë, ndeshja ndaj Anglisë ka një rëndësi të veçantë për të dhe skuadrën e Kosovës.
“Është e vërtetë që kemi pasur një zhgënjim nga i gjithë populli, sepse kemi jetuar me atë ëndërr që do të kualifikohemi në Evropian. Dhe rëndësia e ndeshjes së nesërme do të ishte më e madhe saqë është tash. Nuk do të thotë që ndeshja e nesërme nuk është e rëndësishme, sepse është një shans që të motivohemi më shumë dhe të përmirësohemi. Normalisht është e rëndësishme jo vetëm ta mbyllësh kampanjën me fitore, por për çdo ndeshje është e rëndësishme, sepse përballë kemi një kundërshtar të fortë dhe një fitore. Këtë e kemi dëshmuar edhe pas ndeshjes me Anglinë, sepse ndeshjen tjetër e kemi fituar në shtëpi, sepse kemi karakter si skuadër kur të gjithë jemi së bashku. Është e vërtet, ndeshje që kemi pësuar ndeshje më së shumti gola, por ne normalisht nesër do të dëshironim ta zhvillojmë ndeshjen tonë dhe në fund mund të fitojmë”, tha ai.

Rrahmani nga mediat angleze u pyet rreth repartit të sulmit të Anglisë, e sidomos për sulmuesin e Totrenham Hotspur, Harry Kane. Ai u shpreh se Anglia nuk ka vetëm një Kane, pasi sipas tij të gjithë sulmuesit e tyre janë shumë të rrezikshëm për portën e Kosovës.

“Unë e di që Harry Kane është një nga sulmuesit më të mirë në botë. E di që është vështirë ta ndalësh atë, por jo vetëm Harry Kane, pasi që Anglia ka shumë lojtarë të mirë që mund të rrezikojmë, por detyra jonë është që jo vetëm Harry Kane, por edhe lojtarët tjerë të mos i lejojmë të shënojnë”, tha Rrahmani.

Rrahmani foli edhe rreth tifozërisë së Anglisë dhe mikpritjes që është duke iu bërë në Kosovë, duke shpresuar që në Kosovë nuk do të ndodh asnjë incident në mes tyre dhe gjatë ndeshjet sipas tij nuk ka gjasa të ketë kore raciste.

Ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë luhet nesër me fillim nga ora 18:00 në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton KosovaPress.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA