Lindje-Perëndim/ A i duhet shpallur më në fund luftë karteleve meksikane të drogës?

13/11/2019 10:31

Terrori i karteleve meksikane të drogës vazhdon prej kohësh; e nuk flitet vetëm për vrasje kundërshtarësh, aktivistësh, gazetarësh e madje edhe politikanësh.

Bëhet fjalë për një strategji brutale që ka mbjellë frikën mes popullsisë duke i vendosur këto banda mbi shtetin dhe ndëshkueshmërinë. Aq i madh është niveli i dhunës së karteleve, sa njerëzit nuk dinë saktësisht as çfarë emri t’i vënë: Terrorizëm? Rebelim? Apo janë të dyja bashkë? Një gjë është e sigurt: në ka ndonjë përshkrim të saktë për dhunën në Meksikë, ai është : 100% ekstreme.

Që kur qeveria meksikane shpalli “Luftën kundër Drogës” në 2006, dhjetëra mijëra jetë kanë humbur në mbarë vendin prej sulmeve me armë të lehta, apo nga bombat e torturat. Shteti meksikan është përpjekur të merret me këtë fenomen, por për situatën kaotike, nuk ka ende një fund të qartë në horizont. Edhe pse fillimisht pati një rënie të niveleve të dhunës në Meksikë pas zgjedhjes së Presidentit Enrique Peña Nieto në 2012, tre vitet e fundit sollën një tjetër rritje dramatike të saj. 23 mijë vrasje u numëruan në 2016-tën në të gjithë Meksikën, që do të thotë, më shumë vdekje se ato të regjistruara atë vit vit në Irak e Afganistan. Pavarësisht këtij realiteti, situata e përkeqësuar e sigurisë atje nuk ka marrë veçse një vëmendje të vakët nga mediet në Amerikën e Veriut dhe ato ndërkombëtare. Por kjo ndryshoi në 4 nëntor, pas asaj që do të mbahet mend si “Masakra e Sonorës”.

Persona të armatosur shpuan me plumba tre makina ku udhëtonin vetëm gra e fëmijë, të gjithë pjesëtarë të një komuniteti Mormon amerikano-meksikan. Fatkeqët, po shkonin në një dasmë. 3 gra dhe 6 fëmijë të vrarë, e disa të tjerë të plagosur ishte bilanci tragjik i kësaj ngjarjeje tepër barbare edhe për vetë bandat famëkeqe meksikane të drogës. Sipas sekretarit federal për sigurinë Alfonso Durazo, makinat po udhëtonin mes Galeana-s, Chihuahua-s dhe Bavispe-s, në Sonora, kur u gjendën në mesin e një prite. Autoritet menjëherë folën për një rast ngatërrimi të identitetit, ndërsa pranuan se ajo vrasje e të pafajshmëve ishte vepër e një karteli.

“Persona të armatosur, të cilët ende nuk janë identifikuar, mund t’I kenë ngatërruar makinat SUV me ato të një bande rivale. 8 fëmijë të tjerë mbijetuan, 6 prej tyre ishin të plagosur e u transferuan në spitale të Phoenix-it, në Arizona”, u shpreh Alfonso Durazo.

Por a ishte vërtet kështu? Ishte një ngatërresë, një akt suprem burracakërie apo një shënjestrim I qëllimshëm? Sepse ndërsa disa prej familjarëve u pajtuan me variantin zyrtar, të tjerë citojnë njërin prej fëmijëve të mbijetuar të pohojë se të paktën njëra nga gratë ka dalë nga mjeti me duart e ngritura lart, për ti treguar agresorëve se ishin të parrezikshëm, por është ekzekutuar në vend.

“Ka pasur shumë luftime mes karteleve rivale në këtë zonë. Por një nga fëmijët që I shpëtoi masakrës tha se e ëma kishte dalë nga makina, e prape ata e vranë gjithsesi. E dinin që aty kishte vetëm gra dhe fëmijë”,  deklaroi Lenzo Widmar, kushëri i disa viktimave.

Viktimat, me dy shtetësi, amerikane dhe meksikane, ishin pjesë e familjes së gjerë LeBaron dhe i përkisnin një grupi Mormon të vendosur në Bavispe mbi 50 vjet më parë. Ishin tre makina me të cilat udhëtonin gratë dhe 14 të mitur. Deri në momentin kur mbi ta u lëshua ferri, ishte një ditë mëse e zakonshme, e madje e gëzuar, sepse po shkonin të takonin të afërmit e një pjesë, i prisnin dhe për një dasmë. Në një komunitet ku të gjithë i lidh gjaku, martesat apo miqësia, dhimbja është shtruar këmbëkryq.

“Jemi ende të gjithë në gjendje shoku. Thjesht përpiqemi minutë pas minute të mbledhim veten”, tha Leah Staddon, kushërirë.

Kjo në fakt, nuk është hera e parë që grupi është sulmuar nga narkotrafikantët. Kjo fortesë e mormonëve në Meksikë është përballur dhe herë të tjera me dhunën e karteleve, ndonëse jo në përmasat e tragjedisë së Sonorës. Shtëpitë e mëdha dhe stili i tyre i jetesës i kanë bërë që të duken të pasur në sytë e bandave, ndaj nuk vonuan rrëmbimet në këmbim të shpërblimeve të majme apo edhe vrasjet. Benjamin LeBaron, dhe kunati i tij Luis Widmar Stubbs, u ekzekutuan një dekadë më parë sepse guxuan të denonconin hapur rrëmbimet e karteleve. Staddon thotë se këto kohët e fundit, pjesëtarë të familjes leBaron ishin ndaluar në rrugë ë kërcënuar me armë.

“Ata thanë se do të ishte OK përsa kohë nuk udhëtonim natën. Dhe kështu bënë të gjithë; udhëtimet natën u shmangën. Por kjo që ndodhi tani ishte hapur fare, në mes të ditës! “- u shpreh Leah Staddon, kushërirë.

Ishte një ngjarje tepër e rëndë për të mos reaguar. Presidenti amerikan Donald Trump lëshoi paralajmërimin e tij më të fortë ndonjëherë ndaj bandave meksikane të drogës. “Duhet të fshihen nga faqja e dheut”, ishte komenti i shefit të Shtëpisë së Bardhë.

“Nëse Meksika ka nevojë ose kërkon ndihmë për spastrimin e këtyre monstrave, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të afta ta bëjnë punën shpejt dhe në mënyrë të efektshme”, tha Trump.

Argumenti i presidentit amerikan, ishte I qartë: kartelet e Meksikës janë bërë tepër të fuqishme, dhe e së njëjtës masë, duhet të jetë dhe përgjigja ndaj tyre.

“Kartelet janë bërë kaq të mëdha e të forta, sa ndonjëherë, duhet një ushtri për të mposhtur një ushtri tjetër!” shtoi Trump.

Ndihma e ofruar nga Trump, u anashkalua me diplomaci nga presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador , I cili refuzoi duke thënë se qeveritë e mëparshme meksikane kanë provuar një zgjidhje ushtarake e cila “nuk ka funksionuar”.

“Ky incident ishte vërtet i rëndë, por lufta është gjëja më e keqe. Qeveria po bën ç’është e mundur për t’i gjetur autorët e kësaj ngjarjeje, e për t’I nxjerrë ata përpara drejtësisë”, deklaroi Andres Manuel Lopez Obrador , president i Meksikës.

Por e vërteta është se një “crescendo“ e dhunës në Meksikë po kthehet në njërën prej sprovave më serioze për presidencën e Obradorit. Operacioni I dështuar I anti-drogës muajin e kaluar në Culiacan ngjalli kaq shumë shqetësim, sa një grup gjeneralësh në pension hodhën hapin e pazakontë që të dilnin e t`i ankoheshin hapur ministrit të mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval për strategjinë e kreut të shtetit. Ai që duhet të ishte operacioni më I rëndësishëm kundër krimit të porganizuar në vend prej vitesh të tëra, u kthye në turp për përfaqësuesit e shtetit. Policë e ushtarë mbërritën me një autokolonë të gjatë makinash pasditen e 17 tetorit në kompleksin e rrethuar me mure betone, ku qëndronte Ovidio Guzmán López, djali I ish baronit të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzmán. Ovidio është një prej drejtuesve kryesorë të kartelit famëkeq Sinaloa, të cilin I ati arriti ta shndërronte në njërën prej organizatave kriminale më të fuqishme në botë derisa në prangosjen e tij në 2016-tën. Por ndërsa oficerët e sigurisë iu afruan Guzmanit të ri, u informuan në ato momente se nuk kishin një mandat arresti për të. Kështu që iu desh të prisnin, një gabim trashanik ky sipas vetë sekretarit të sigurisë Durazo, që e ktheu qytetin e Culiacanit në një zonë lufte urbane.  Edhe pse forcat e rendit arritën ta kapnin me sukses të riun, ata shumë shpejt e gjetën veten të rrethuar nga pjesëtarët e kartelit.

Me qindra burra të armatosur hapën zjarr mbi policë, ushtarë e civilë anekënd qytetit; shtëllunga tymi u panë të ngrihen nga makina që digjeshin. Gangsterët ishin të pajisur mirë; kishin jelekë antiplumb, autoblinda, pushkë të kalibrit 50 (mm), raketahedhëse, granatahedhëse dhe mitralozë. Në fund, Guzman Lopez u la i lirë pasi karteli kishte marrë disa pengje, mes të cilëve edhe tetë efektivë. Në sulm, u përdorën mes të tjerash armë, që vinin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në zonë, u gjetën gëzhoja të prodhuara nga Remington dhe me origjinë nga Shtetet e Bashkuara”, tha Alfonso Durazo, ministër i Sigurisë, Meksikë.

Ndërkohë Marcelo Ebrard , ministër i Jashtëm i Meksikës deklaroi:

“Ashtu siç e kam thënë, ka shumë gjasë që të zbulojmë se këto armë, janë prodhuar, të paktën në një farë mase, në SHBA, dhe ne duhet të bashkëpunojmë që të shohim sesi përhapen këto në zonë, si arrijnë të hyjnë këtu.”

Nga viti 2007 deri në 2018-tën, më shumë se 150 mijë armë zjarri të përdorura nga kriminelët meksikanë janë gjurmuar për të gjetur në fund se ato vinin nga dyqane e fabrika në SHBA. Besohet se numri I armëve të tilla në duart e karteleve të drogës, është disa herë më i madh, siç thotë “New York Times”.

Vitin e kaluar, 70 përqind e armëve që forcat meksikane të sigurisë  kapën dhe dorëzuan pranë Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, ose A.T.F., u konfirmuan se janë prodhuar apo shitur në Shtetet e Bashkuara. Armët përfshijnë mijëra kallashnikovë dhe AR-15, të cilat kartelet mund t’i shndërrojnë në plotësisht automatike… Ato gjithashtu përfshijnë qindra pushkë snajper të kalibrit .50, të cilat shkrepin plumba me  madhësinë e thikave që mund të presin edhe shtresat e blinduara.

Kartelet më të fuqishme në Meksikë janë:

Sinaloa që kontrollon pjesën më të madhe të veri-perëndimit të vendit. E themeluar në fundin e viteve ’80, kjo organizatë kriminale, e drejtuar për shumë vite nga “El Chapo”, apo Shkurtabiqi“, fitoi reputacionin e një egërsie të skajshme ndaj grupeve rivale, e përpos kësaj, u kthye dhe në furnizuesin më të madh të drogave të paligjshme në SHBA.

U krijua në 2010-tën, dhe është konkurrenti më i fortë dhe më agresiv i Sinaloa-s. Grupi është shtritë me shpejtësi në mbarë me Meksikën dhe sot asetet e tij, vlejnë mbi 20 miliardë dollarë. Karteli drejtohet nga një ish oficer policie, Ruben Oseguera, i njohur si  “El Mencho”. 10 milionë dollarë është shpërblimi për kokën e tij.

Karteli i Gjirit- kontrollon veri-lindjen dhe qendrën e ka në rajonin kufitar Tamaulipas. Është një prej grupeve kriminale më të vjetra të Meksikës, e përvec trafikimit të hershëm të kokainës e marijuanës në SHBA, kujdeset të dërgojë edhe heroinë e amfetamina, ndërsa bashkëpunon ngushtë me kartelet në Kolumbi.

Karteli Los Zetas- vepron dhe ai në verilindje. Ky grup është formuar me pjesëtarët e korruptuar të një njësie elitë brenda forcave speciale të Meksikës. Më shumë se 30 ish ushtarë u pajtuan asokohe nga lideri I kartelit të Gjirit në vitet 90`, por vendosën të shkëputeshin dhe në 2010-tën, krijuan grupin e vet. Zetas janë bërë shumë të njohur për brutalitetin e tyre, sepse shpeshherë viktimat i torturojnë e u presin kokën.

Këto janë grupimet me të cilat duhet të luftojë shteti meksikan, dhe strategjia e kreut të tij, deri më tani ka qenë e bazuar ne moton: “ Nuk mund t`i përgjigjesh zjarrit me zjarr. Ne nuk duam vdekje. Ne nuk duam luftë. Paqen dhe qetësinë në këtë vend, do ta garantojmë me drejtësinë“. Problemi është se qeveria e Obradorit nuk po siguron dot as njërën, as tjetrën, dhe dhuna cdo ditë njeh vetëm përshkallëzim. Lirimi i Ovidio Guzman u përkthye shumë shpejt si dështim i qartë i kësaj politike. Ai dërgoi për më tepër mesazhin se kartelet mund të vazhdojnë të përdorin dhunën si mënyrë për të arritur atë që duan. Dhe presidentit të vendit, thotë opinionisti Ioan Grillo, i duhet të farkëtojë një strategji më koherente e cila të garantojë sigurinë e qytetarëve nga njëra anë e të menaxhojë nga ana tjetër edhe problemet e thella që qëndrojnë pas kësaj dhune. Vetëm fjalët për drejtësinë nuk i ndalojnë plumbat shprehet ai, e kontrolli i karteleve, nuk është paqe.

 

 

Top Channel