Minatorët e Kombinatit Metalurgjik të Trepçës në Kosovë kanë hyrë në grevë. Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, ndërmarrja e një hapi të tillë ishte pasojë e faktit që punonjësit nuk kanë marrë pagën e muajin tetor, ndërsa ankohen për kushtet jo të mira të punës.

“Tre janë pikat kryesore apo kërkesat e minatorëve. Pagat të paguhen, është data 11 nëntor dhe ne ende nuk kemi marrë rrogën; po ashtu minatorët nuk kanë marrë një përqindje të pagave edhe të muajve të kaluar, ushqimi lë shumë për të dëshiruar e u bënë muaj, që minatorët nuk marrin doreza e çizme pune”,  ka deklaruar Osmani.

Ai tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara. Mjaft minatorë të kombinatit metalurgjik thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare, edhe për shkak të mosmenaxhimit të duhur. Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, e 20 për qind janë aksione të punonjësve të saj. ajo ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë,  por, që nga paslufta është përballur me probleme aq të mëdha, sa nuk arriti asnjëherë të rimëkëmbet.

Top Channel