Bayerni i Mynihut reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj humbjes 5-1 në transfertën ndaj Eintrachtit të Frankfurtit dhe shkarkimit të trajnerit, pasi përveçse siguroi kalimin në fazën e 1/8-ave të Championsit, mposhti bindshëm 4-0 Borussian e Dortmundit në kampionat.
Nën drejtimin e Hans Flick, bavarezët zhbllokuan sfidën në minutën e 17’ me anë të të zakonshmit Robert Lewandowski, ndërsa në fillim të pjesës së dytë ishte sulmuesi gjerman Serge Gnabry që dyfishoi shifrat.
Në minutën e 76’ ishte sërish sulmuesi polak që shënoi golin e tretë, ndërsa në të 80-ën ishte Mats Hummels që shënoi në portën e tij, duke vulosur suksesin 4-0 të bavarezëve që me këtë fitore ngjiten në vendin e tretë me 21 pikë, aq sa ka edhe Leipzigu i vendit të dytë.
Nga ana tjetër Borussia e Dortmundit vuajti shumë lodhjen e Championsit përballë Interit dhe sot bëri shumë pak, duke mos shmangur humbjen e njëkohësisht mos arritur të kërcënojë asnjëherë rrezikshëm kuadratin e Neuer.
Top Channel