Në kulmin e kaosit që po mbretëron prej ditësh te skuadra e Napolit, mund të mbijë një trajner italo-shqiptar si njeriu që mund të shpëtojë sezonin.
Xhani De Biazi po përflitet nga mediat e Apenineve si ai që mund të pasojë Karlo Ancelotin në pankinën e formacionit jugor, që po vuan përplasje serioze mes hierarkisë drejtuese në njërën anë, dhe futbollistëve e stafit teknik në anën tjetër.
Presidenti De Laurentis i zhgënjyer me skuadrën për rezultatet në fushë, por mbi të gjitha për bojkotin e bujshëm ndaj grumbullimit, po mendon gjobitjen me 5% të pagës vjetore për secilin lojtar, që nëse llogaritet në total shkon në një shifër të konsiderueshme. Qëndrimi i Karlo Ancelotit në krah të futbollistë ka zemëruar drejtuesit që tani mendojnë alternativën në pankinë sa më shpejt.
Xhani De Biazi shihet si një trajner i përkohshëm këtë sezon për të qëndruar brenda objektivave. Një emër që nuk kërkon miliona por një mënyrë për t\u rivendosur në diskutim, ish trajneri i kombëtares shqiptare ofron një profil të pranueshëm edhe për një ambient shpërthyes si Napoli. Kontrata për të është vetëm deri në qershor, dhe kontaktet kanë nisur dhe po intensifikohen.
Top Channel