Administrata amerikane është e shqetësuar me blerjen e armëve ruse nga Serbia, thonë për DW në Departamentin Amerikan të Shtetit. Sanksionet megjithatë janë larg. Në selinë e OKB janë të përmbajtur.
Uashingtoni zyrtar ka dënuar sjelljen e Serbisë, përkundër deklaratës së presidentit Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk ka para për të blerë sistemet raketore ruse S-400. Ky sistem është transportuar së fundi në Serbi, gjatë një stërvitjeje ushtarake serbo-ruse, ashtu si edhe sistemi me rreze të mesme “Pancir“, të cilin Serbia do ta blejë.
Mediat serbe thonë, se të premten (08.11) në Beograd do të viejëpër vizitë nëpunësi amerikan i Departamentit të Amerikan të Shtetit (DASH) Thomas Zarzecki, i cili drejton grupin 231, të ngarkuar me zbatimin e sanksioneve kundër vendeve dhe kompanive që bashkëpunojnë me Rusinë në sektorin e sigurisë ushtarake.
Vuçiqi ka deklaruar se “disa” po flasin në Serbi për mundësinë e sanksioneve amerikane, me shpresë se do të shkaktojnë një dozë pasigurie. Sipas tij, “Serbia po bën një politikë të përgjegjshme”, me qëllim “që t’i shmanget çdo lloj problemi“.
Në pyetjen e Deutsche Welles, nëse Serbia do të përballet me sanksione, për shkak të armëve ruse, zëdhënësi i DASH i bëri thirrje të gjithë partnerëve që të heqin dorë nga transaksionet të tilla me Rusinë.
„Mosrespektimi i paralajmërimeve tona sjell me vete rrezikun e aplikimit të sanksioneve, në përputhje me ‘aktin për kundërshtimin e armiqve amerikanë’“, u tha në Ministrinë e Jashtme.
Këtu bëhet fjalë për një dokument federal të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, në korrik të vitit 2017, dhe të miratuar urgjentisht nga Senati. Ligji është votuar për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Por ky ligj ka të bëjë edhe me vendet e tjera. “Shumë herë u kemi shprehur shqetësimin tonë autoriteteve të larta qeveritare në Serbi, për shkak të pajisjes me armë ruse, që nënkupton edhe blerjen e sistemit ‘Pancir'”, thekojnë në DASH.
Larg nga sanksionet?
Dimitar Beçev, një nga ekspertët kryesorë për Ballkanin Perëndimor në Këshillin Atlantik, një organizatë në Uashington që merret me Evropën Juglindore, dyshon që Serbia do ta blejë sistemin raketor S-400. Interesat ekonomike janë një, ndërsa miqësia sllave diçka tjetër, thotë ai. „Ky do të isthe një investim tepër i madh për Serbinë”, thotë Beçev për DW. “SHBA do të mund t’i vendosnin sanksionet kundër Serbisë nëse kjo ndodh, por ajo ende nuk e ka blerë këtë sistem.“
Beçev shpjegon se ka një lloj precedenti edhe në rastin e Turqisë, e cila ka blerë sistemin S400, por ende nuk janë aplikuar sansionet kundër saj. I pyetur nëse SHBA vërtet mund të përdorin sanksionet me qëllim që Serbia të mos e blejë këtë sistem raketor, Beçev thotë se situata është pak më ndryshe, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. „SHBA nuk ka ndonjë influencë të madhe në Serbi, sepse nuk kërkohet që ajo të bëhet anëtare e NATO-s. Sanksionet dhe dënimet janë fuqia më e madhe që ajo ka në dorë kundrejt Serbisë. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë shpejt“.
Ofensiva diplomatike
Prej fillimit të ofensivës së re diplomatike amerikane, për gjetjen e një zgjidhjeje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë, sërish është intesifikuar edhe retorika e njohur amerikane e kërcënimeve dhe sugjerimeve. Qëndrimet e Uashingtonit janë të rëndësishme, sepse nga marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës varet edhe gjendja në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Pas vizitës së fundit të përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Methew Palmer në Beograd dhe takimit me presidentin Vuçiq, diplomati amerikan nuk ka kërcënuar qartë me sanksione. „Mua vërtet më duket e paqartë politika amerikane ndaj armatimeve nga Rusia dhe Kina“, thotë për DW, Daniel Server. Server thotë se Beogradi dhe Kroacia, e cila është anëtare e NATO-s, kanë nisur një lloj gare për armatime.
OKB e përmbajtur
„SHBA dhe Rusia kanë mendime të ndryshme për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, thonë në Ministrinë e Jashtme amerikane. “Moska kundërshton integrimet e këtij rajoni në strukturat perëndimore dhe pengon zgjidhjen e tensioneve ndëretnike atje. Ajo do të margjinalizojë influencën amerikane dhe evropiane, me qëllim që këto vende të mos mund të ndërtojnë një politikë të pavarur.” Ndërsa SHBA mbështet këtë rrugë të integrimevetë rajonit dhe të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Moska po vepron si “shkatërruese”, ndërsa “përvoja na thotë se Rusia ka një influencë të kufizuar“, mendon Beçev. „Rusia nuk mund të influencojë procesin e zgjerimit të BE. Këtë mund ta bëjnë Franca, Gjermania dhe vendet e tjera, të cilat vendosin për këtë çështje“.
OKB është e përmbajtur në komentimet e veprimeve të shteteve sovrane, thotë Farhan Hak, zëdhënës i sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guteres, duke shtuar se në plan të parë duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik dhe social në Ballkan. OKB preferon “angazhimin diplomatik për zgjidhjen e problemeve“.
“Prioriteti ynë është angazhimi i vendeve që sigurinë e tyre ta garantojnë përmes bashkëpunimit me vendet fqinje, përmes diplomacisë dhe bisedimeve“, thotë Hak. Zëdhënësi i Guteresit nuk deshi t’i përgjigjet pyetjes nëse sekretari i Përgjithshëm i OKB është i shqetësuar nga gara e armatimeve në Ballkan./DW
Top Channel