Me 20 euro nën dorë lejonin kalimin në pikën kufitare, arrestohen 2 policët pas denoncimit në “Fiks Fare”

06/11/2019 16:50

Pasi emisioni Fiks Fare në Top Channel denoncoi rastin se si punonjësit e policisë në Muriqan kërkonin ryshfet që t’u vulosnin pasaportat pasagjerëve për të kaluar kufirin drejt vendeve të BE-së, policia ka proceduar penalisht dy punonjës.

“Këta persona janë identifikuar në disa pamje filmike të emisionin investigativ “Fiks Fare” të datës 04.11.2019, në të cilin shfaqen disa udhëtarë në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, që paguajnë shoferin e autobuzit me shumën prej 20 eurosh për të bërë të mundur kalimin në territorin malazez. Mbi këto publikime janë kryer veprime hetimore për të zbardhur rrethanat dhe faktet që përbëjnë shkelje ligjore”, njofton policia.

  Skandali në Fiks Fare/ Me 20 euro nën dorë, kalon pikën kufitare drejt vendeve të BE-së

Njoftimi i plotë

Procedohen penalisht dhe vijojnë hetime të thelluara për 2 punonjës policie, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion

Materialet procedurale në ngarkim të dy punonjësve të policisë janë referuar në 05.11.2019, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Të proceduar në gjendje të lirë janë:
– N/Komisari L.S., me detyrë Shef i Stacionit të Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan;
– Inspektori Gj.M., me detyrë Ndihmës kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan.
– Shtetasi, A.K., shofer autobuzi pranë një agjencie udhëtimi.

Shtetasit e mësipërm janë të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv nga persona që kryejnë funksione publike”.

Këta persona janë identifikuar në disa pamje filmike të emisionin investigativ “Fiks Fare” të datës 04.11.2019, në të cilin shfaqen disa udhëtarë në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, që paguajnë shoferin e autobuzit me shumën prej 20 eurosh për të bërë të mundur kalimin në territorin malazez. Mbi këto publikime janë kryer veprime hetimore për të zbardhur rrethanat dhe faktet që përbëjnë shkelje ligjore.

Nga veprimet hetimore paraprake të kryera, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe shtetasin A.K., duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra, lejonin kalimin e personave të ndryshëm, të cilët nuk plotësonin kriteret e udhëtimit, në këmbim të vlerave monetare që varionin nga 20 deri në 50 euro.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera, dyshohet se në këtë veprimtari të kundraligjshme, ata bashkëpunonin, edhe me punonjës të Pikës së Kalimit Kufitar të Malit të Zi.

Sqarojmë se kjo ngjarje është e datës 02.09.2019, ndërsa është publikuar në media në datë 04.11.2019.

Top Channel