Qytetarë të shumtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë politikë kanë marshuar për të kërkuar drejtësi në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Me moton “Një popull për drejtësi”, prej sheshit “Skenderbeu” u marshua deri te Prokuroria e Shtetit, nga ku u kërkua përgjegjësi për vdekjen e Astritit dhe proces të ri hetimor.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se tri vjet pa drejtësi për Astritin janë tepër shumë, teksa theksoi nevojën për hetim të ri.

Kurti, i cili ka fituar zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, tha se Astrit Dehari do të jetë simbol i rezistencës së tyre.

“Nuk ka pasur të vërtetën për drejtësi, por një qëllim tendencioz që është vënë prioritet ndaj të dhënave faktike. Nevojitet një hetim i ri i pavarur profesional, jo vetëm për mbytjen e Astritit, por edhe procesin trevjeçar. Astriti u mbyt nga regjimi, sepse nuk po e merrte në pyetje. Mbi Astritin është kryer krimi prej ditës kur u arrestua”, tha ai.

Në emër të familjes Dehari, Destan Dehari kërkoi po ashtu drejtësi për Astrit Deharin. Nga shoqëria civile, Rreze Hoxha kërkoi hetim dhe shkarkim të gjithë personave përgjegjës për rastin e Deharit, sqarimin e rrethanave të shokut të tij në paraburgim, Naser Makolli dhe komision hetimor parlamentar në legjislaturën e ardhshme për të trajtuar këtë rast.

Profesoresha në Fakultetin e Mjekësisë, Hatixhe Pupovci duke përmendur kontributin e Astrit Deharit, tha se vdekja e tij do të mbetet një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë.

“Ndaj Astritit nuk është kryer vetëm krim mbi vrasjen, por edhe shtrembërim mbi vrasjen. Vdekja e Astrit do të jetë një njollë e zezë për sistemin e drejtësisë”, u shpreh Pupovci.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, dje ka bërë të ditur përmes një postimi në Faceboook, se ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të nxjerrë aktvendim mbi zhvillimin e hetimeve në drejtim të zbulimit të vrasësve të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai gjithashtu ka kërkuar që t’i dërgohen të gjitha shkresat e lëndës që i janë dërguar Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, i cili ka ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raport.

Top Channel