Me moton “Një popull për drejtësi” në trevjetorin e vdekjes të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari ka nisur marshi në kërkim të drejtësisë për rastin e tij.

Para sheshit “Skënderbeu” në Prishtinë janë grumbulluar shumë qytetarë, të cilët do të marshojnë drejtë Prokurorisë së Shtetit.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, dje ka bërë të ditur përmes një postimi në Faceboook, se ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që të nxjerrë aktvendim mbi zhvillimin e hetimeve në drejtim të zbulimit të vrasësve të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kërkohet që të nxjerrë aktvendim mbi zhvillimin e hetimeve në drejtim të zbulimit të vrasësve të Astrit Deharit (Vrasje e rëndë nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ), të shtytësve në vrasje ( Neni 33 i KPK-së), të atyre që e kanë fshehur vrasjen për tri vite dhe të atyre që e kanë ndihmuar në çfarëdo forme kryerjen e veprës penale të vrasjes ( Neni 33 i KPK-së), si dhe të gjithë atyre që në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të Astrit Deharit në bashkëkryerje kanë vepruar si grup i organizuar kriminal (Neni 34 i KPK-së)”, shkruan avokati Gashi.

Ai gjithashtu ka kërkuar që t’i dërgohen të gjitha shkresat e lëndës që i janë dërguar Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, i cili ka ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raport.

Top Channel