Mëngjesin e ditës së sotme është vjedhur me thyerje kasaforta e postës së Krujës, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar.

Roja private, shtetasi B. P., pasi ka rënë në dijeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.

Kështu 51-vjeçari, banues në Durrës me detyrë roje private është arrestuar për veprat penale “Moskallzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasi S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.

Top Channel