Vijojnë takimet VV-LDK, diskutohet për vettingun në Kosovë dhe dekriminalizimin e institucioneve

31/10/2019 18:23

Takimi i radhës midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përfshirë si tema diskutimi dy çështje shumë të diskutuara në Shqipëri, siç është procesi i vetting-ut dhe dekriminalizimi i institucioneve shtetërore.

Përveç këtyre dy temave, dy grupet punuese kanë diskutuar edhe për sigurinë e jashtme dhe të brendshme, ligjin për shqyrtimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, trajtimin e krimeve të luftës dhe krijimi i mekanizmave shtetërorë për dokumentim e arkivim të krimeve të luftës në Kosovë

“Diskutimi u zhvillua në një frymë pozitive dhe shumë konstruktive. Për shumicën e çështjeve, u gjet pajtim i përbashkët. Grupet u dakorduan për detajizim edhe të disa çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Takimi i radhës midis dy partive, do të mbahet të hënën, ku do të diskutohet për arsimin dhe shëndetësinë.

Për shkak të ankimimeve që janë bërë nga disa parti, procesi i zyrtarizimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit mund të shtyhet deri në muajin dhjetor.

Top Channel