Basha nis turin kombëtar: Rinia shqiptare, dështimi më i madh i kësaj Qeverie

31/10/2019 18:55

Ka nisur nga Tirana turi kombëtar i Lulzim Bashës me të rinjtë shqiptarë. Në bashkëbisedimin me të rinjtë e Forumit Rinor Demokrat, ku i pranishëm ishte edhe kryetarii e Junge Union, të gjermanes CDU, kryeopozitari tha se dështimi më i madh i Qeverisë së Edi Ramës është dështimi me të rinjtë.

“Nuk është faji i shqiptarëve, është kusuri i shqiptarëve. Është kusuri i një Qeverie që nuk ka lënë askënd më shumë në baltë se të rinjtë. Dështimi më i madh është dështimi me rininë, e cila po rritet në një vend pa mundësi, pa punësim, pa prespektivë, me rroga të ulta minimale dhe me kosto maksimale të jetës dhe arsimit. Me një vend me klimë të shkatërruar për biznesin dhe ekonominë. Në një vend ku kërkesa e parë e rinisë, fatkeqësisht, është largimi nga vendi”, tha Basha.

Por kreu i PD-së u zotua se kjo situatë nuk ka për qenë kështu edhe për shumë kohë, pasi vendi e ka të gjithë potencialin e nevojshëm për të ndryshim.

“Do realizojmë një reformë të thellë në arsim ku në themel të jetë studenti dhe e ardhmja e tij. Na duhet një Qeveri që ka vizionin dhe pasionin për t’ju vënë ju të parët dhe jo interesat e një grupi njerëzish të cilët e kanë tradhtuar interesin e qytetarëve shqitparë. Ne kemi treguar se e kemi këtë vizion”, tha Basha.

“Zotimi ynë kryesor është që ta kthejmë shpresën në Shqipëri”, shtoi kreu i demokratëve.

Top Channel