MONIKA STAFA
Pamja e një trupi të zhveshur nuk përbën më një skandal. Por a ka më ajo forcën të frymëzojë aq bukur sa dikur?

Në një të ardhme jo fort të largët, ka shumë mundësi të mos priten më skandale serioze në botën e artit. Jetojmë tashmë në një epokë krejt indiferente ndaj së shqisës së të bukurës si shije sipërane. E megjithatë ende presim ngacmime artistike që lidhen me trupin e njeriut. Sa më me kujdes vepra të ekspozohet dhe e paarritshme të duket, apo dhe e kufizuar nga ana fetare apo shoqërore, aq më e dëshirueshme dhe e paqartë bëhet ajo. Pornografia, ajo profesionale apo dhe amatore, në të qindra llojet që shfaqet mbetet gjithmonë e lirë. Nën dritën blu të ekranit të vogël shumëkush kënaqet me trupat lakuriq në të gjitha dimensionet. E megjithatë, një kundrim i tillë intim nuk mund të krahasohet me përvojat e diplomatit osman Khalil Bej, i cili e mbajti L’Origine du monde, në dhomën e tij të gjumit, të mbuluar gjatë gjithë kohës me një perde jeshile.

Piktura e famshme e Gustave Courbet, e vitit 1866, ekspozon të pikturuar organin gjenital dhe fundbarkun e një gruaje të zhveshur. Artisti, duke ndjekur traditën e realizmit, ka vizatuar në detaje anatomike trupin e femrës krejt në mish, me një precizion të lezetshëm. Studiuesit francezë të artit zbuluan kohët e fundit se modelja e referuar ishte konkubina e diplomatit osman, Constance Queniaux. Fytyra e saj nuk është e dukshme, por ajo që vihet re në detaje është se përvec organit të ekspozuar, në të janë përfshirë edhe qimet pubike, të cilat kanë qenë gjithmonë tabu në pikturë deri në atë kohë. Korniza që i është dhënë tablos dhe vëmendja ndaj detajeve janë elementët më ‘i paturpshëm’ i pikturës: Courbet ka vizatuar atë që, deri në atë kohë, artistët e patën mbuluar me një pëlhurë të hollë të justifikuar në kontekstin mitologjik ose historik të kohës. Deri në vitin 1995, L’Origine du monde nuk u ekspozua publikisht. Ndoshta sepse tani në shekullin XXI-të, pamja e një trupi të zhveshur nuk përbën më një skandal. Por a frymëzon ajo akoma një ndjesi të bukur frike dhe nderimi?

Historia e pikturës nudo në një kuptim quhet historia e nocioneve estetike; d.m.th. në nënvetëdije vihen në lëvizje imagjinata të ndryshme në varësi të bukurisë që ekspozohet. Jo pa arsye historiani i njohur i artit Sir Kenneth Clark shkroi veprën e tij me dy vëllime “Nudo: Një Studim në Formën Ideale”. Ai pati si moto të studimit të tij pjesë nga letra e klasikut francez Nicolas Poussin drejtuar mikut të tij, Paul Fréart de Chantelou në të cilën shkruhej: “Jam i sigurt që vajzat e bukura që keni parë në Nimes do të kënaqnin sytë e mendjes suaj, jo më pak se kolonadat e bukura të Maison Carreé, të cilat nuk janë asgjë tjetër veç kopje të vjetra të hijeshive që keni shijuar”.

Që nga antikiteti, teoricienët e artit kanë kërkuar përmasat ideale të trupit të njeriut. Kodi i skulptorit antik grek Poliklitit përbëhej nga tetë module, njësia e së cilës ishte koka; ndërsa në atë të Lysippos ishin nëntë njësi të tilla, ndërsa për Vitruvius-in ishin 10. Ndërsa britaniku Kenneth Clark, historian arti shkruante se: “…bukuria ideale është në të vërtetë një gjurmë e paqartë vizuale me një lloj të vecantë fiziku që u zhvillua në Greqi mes viteve 480- 440 para Krishtit. Dhe që u perceptua në shkallë të ndryshme intensiteti në mendjen e njeriut perëndimor, si një model përsosmërie nga Rilindja deri në epokën moderne”. Në përpjekjet e tyre për të zhvilluar modele të përsosjes trupore, artistët dhe teoricienët e Rilindjes u frymëzuan prej modelit Vitruvian. Leonardo da Vinci vendosi që syri i njeriut t’i shohë trupat në lëvizje, gjë që prish simetrinë dhe ndryshon përmasat.

Në kërkimin e tij për një siluetë ideale, ai mbivendosi dy modele antike: trupin e gdhendur brenda një rrethi dhe tjetrin të skicuar në një kuadrat. Njeriu i tij Vitruvian është me të vërtetë i strukturuar në mënyrë të përsosur. Barku i tij shënjon mesin e skicës. Por njeriu i vizatuar nga Leonardo, megjithëse mjeshtëror, thonë kritikët duket i ngurtë dhe pa asnjë sharm duke vërtetuar sipas tyre se ekziston gjithmonë një kontradiktë mes ideve gjeometrike dhe ndjesisë së të bukurës.

Ndërkohë, në veri të Evropës, Albrecht Dürer e kuptoi që në vend që të fillonte me matematikën, ishte e nevojshme të studioheshin figura të ndryshme njerëzore nga natyra. Për shkak të kësaj, ai përfshiu gratë në Katër Librat e tij në të cilën përshkruhen proporcionet fizike të njeriut. Dürer ishte një vëzhgues i i talentuar dhe tregoi se kishte parë disa zezake aq të përsosura dhe të bukura sa nuk kish mundur t’i gjente ato përmasa ende në trupat e grave të bardha. Ai madje theksonte se të tilla tipare as nuk kish mundur t’i imagjinonte.

Në epokën e Rilindjes, trupat e zhveshur u bënë të kudogjendshëm si në artin laik ashtu edhe atë fetar. Skenat mitologjike, plot me hyjni të zhveshura, nimfa dhe njerëz të shthurur, ishin pretekste për të vizatuar lakuriqësinë. Ndërsa në epokën e barokut, engjëjt dhe kupidët arritën të hyjnë nëpër pallatetet mbretërore dhe kisha.

(Tintoretto, “Susanna dhe Plaku”)

Artistët gjetën gjithashtu pretekste për të ekspozuar lakuriqësinë edhe në Testamentin e Vjetër. Suzana dhe Plaku, Banja e Bathsheba-ës dhe David dhe Goliath-i, ishin temat e përsosura për këtë inisiativë. Susanna e Tintoretto-s para pasqyrës është një nga pikturat më sensuale në historinë e artit.

Ndoshta nga më interesantet janë rastet kur pikturat e synuara si art fetar shkaktuan reagime të tjera nga sa parashikohej zyrtarisht. Shembulli më i mirë është ai i Mary Magdalene-ës. Në traditën e Kishës, prostitucioni i rehabilituar u bashkua me njërën nga tre gratë që takuan Jezusin pas ringjalljes. Siç e shpjegojnë historianët e artit, Maria Magdalena u krijua si një shenjtore e veçantë, shenjtore ‘vetëm për gra’, nënës së të gjitha grave, Evës dhe Virgjëreshës Mari. Njëra ishte e mbushur me mëkate dhe tjetra ishte shumë e përsosur. E penduara, ish-prostituta Maria Magdalena, vizatohej në gjendje të ndryshme nudoje, ndwrsa diku tjetwr mbulohet vetëm nga flokët e saj të trashë e të gjatë. Nëse vërehet me kujdes ajo pikturë jo cdokush mund të mendojë se çfarë kjo grua fsheh pas flokëve të saj është një e shkuar që s’duhet kujtuar. Misteri pas kësaj tabloje të mbuluar nga flokë gjendet pikërisht aty; janë mëkatet e saj të kaluara dhe një shenjë e shlyerjes së tyre për të nisur një dashuri të re.

Në të gjitha këto imazhe, nudo shfaqet nën pretekstin e një teme fetare. Forma e saj provokuese apo edhe perverse qoftë mbetet e justifikuar nga ky kontekst. Pas Rilindjes së hershme, nudot sensuale gjithashtu u bënë një element i përhershëm i dhomës së gjumit. Sandro Botticelli pikturoi një Venus gjysmë të mbështjellë, me një fustan të bardhë në Venus dhe Mars, 1485. Skena të ngjashme u pikturuan edhe në vazhdim me figura njerëzore dhe gjysëm njerëzore.

Sepse besohej se soditja e tipareve të bukura fizike do të ndikonte në bukurinë e pasardhësve. Venusi i Urbino-s së Ticianit është një model i veçantë i lakuriqësisë femërore. Nuk është çudi që Monet i referohet asaj në njërën prej veprave të tij. Ajo duket kaq e mirësjellë në atë tablo. E lirë dhe e guximshme, ajo nuk fsheh asgjë; ajo e zbulon pa droje gjithë kurmin e trupit të saj.

Epoka moderne dhe nudo

Në vitin 1996, artistja ndërkombëtarisht e njohur Katarzyna Kozyra zgjodhi të pozojë si Olimpia e Monet, më një fjongo të zezë, lidhur rreth qafës në shenjë homazhi për artistët e prekur nga kanceri. E paflokë, në një spital, Kozyra shoqërohet edhe në foto nga një infermiere si Olimpia në pikturë. Shpjegimi i saj ishte: “Unë po fotografohem lakuriq, për të dëshmuar se një trup i sëmurë është po aq dinjitoz dhe normal sa një trup i shëndetshëm. Kur jemi mirë, nënvizoi ajo, ne nuk mendojmë se si arrijmë të kryejmë proceset jetësore. Vetëm kur e shohim një trup të sëmurë, e ndjejmë vdekshmërinë e tij”. Apeli i artistes polake atëkohë por dhe sot kur e lexojmë, ishte më i bukur në përmbajtje sesa në formë. Ajo nuk ngjalli asnjë eksitim ndjesish apo ngacmime erotike; ajo cfarë publiku përjetoi ishte mendimi se jo cdo gjë lakuriqe është e bukur dhe se e bukura sidoqoftë mbetet relative në kohë por e pamohueshme në sy.

Top Channel