Asteriksi, gali më argëtues në histori, mbushi 60 vjeç. Ai që konsiderohet si njëri prej personazheve më të dashur të librave vizatimorë të shekullit të XX-të, do ta shihte dritën e diellit 29 tetorin e vitit 1959, në numrin e parë të revistë “Pilote”.

I krijuar nga Renè Goscinny e Albert Uderzo, përmes librave por edhe filmave vizatimorë, Asteriksi do të shndërrohej në një simbol të fëmijrëisë së disa brezave me radhë.

Këto ditë, si për të kremtuar përvjetorin e galit hipnotizues, del dhe seria e re e tij, e quajtur “Vajza e Vercingetorige”.

Që nga dalja e parë e deri më tani, aventurat e Asteriksit imcak, mikut të tij trupmadh, Obeliks dhe fshatit të galëve të pathyeshëm në rezistencën e tyre përballë trupave të Jul Cezarit falë lëngut magjik të Panoramiksit, janë kthyer gati në një libër klasik.

Historia e tyre lindi fill pas luftës së dytë botërore, e u pa nga disa si shenjë e rezistencës franceze ndaj nazismit.

Megjithatë me kalimin e kohës, nisi të konsiderohej si një mishërim i shpirtit francez me Asteriksin nga njëra anë që ka virtytet e një heroi të guximshëm, dhe Obeliksin nga ana tjetër që përfaqëson difektet si ndjeshmëria e tepruar apo grykësia.

Irida Vasia

Top Channel