Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas pranimit të raportit të ekspertëve të Qendrës Universitare Romande për Mjekësi Ligjore (CURML) në Lozanë të Zvicrës lidhur me rastin Dehari.

Sipas kësaj partie, Astrit Dehari është vrarë për shkak se ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje!

“Këtë e ka thënë edhe raporti i ekspertëve të mjekësisë ligjore nga Shqipëria e Mbretëria e Bashkuar, këtë e thotë tani edhe raporti i ekspertëve të Qendrës Universitare Romande për Mjekësi Ligjore (CURML) në Lozanë të Zvicrës, këtë e ka thënë vetë trupi i Astrit Deharit”, thuhet në një postim të Vetëvendosjes në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga prokuroria që t’i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.

“Po ashtu, duhen hetuar edhe ata që përkundër dhimbjes së familjes, shokëve dhe mbarë opinionit publik, u bënë mjet i dezinformimit menjëherë pas vrasjes së Astritit në burg. Cili ishte qëllimi i atyre që me çdo mjet, edhe duke gënjyer e duke i ndërruar fjalët, donin ta mbulonin krimin si vetëvrasje?”, thuhet më tej në postim.

Ndryshe, edhe familja Dehari së bashku me avokatin Tomë Gashi kërkojnë që hetimet të fillojnë sa më parë.

Top Channel