Nga ndryshimi i sistemit, te kufizimi i mandatit të kryeministrit, Top Channel zbardh propozimet e Patozit për “Zgjedhoren”

24/10/2019 10:50

Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore ka nisur zyrtarisht mbledhjen e propozimeve konkrete për ndryshimin e kodit elektoral.

Puna po zhvillohet paralelisht në disa grupe. Ne kryesinë e Kuvendit prej orës 9.30 është mbledhur komisioni i posaçëm parlamentar, i cili po shqyrton draft propozimet e ekspertëve për financimin e partive dhe kuotave gjinore.

Në selinë blu, opozita jashtëparlamentare ka mbledhur ekspertët e saj të Reformës Zgjedhore. Por, edhe partitë e vogla nuk mbeten pas. Përmes deputetit Andi Përmeti, Bindja Demokratike bëri publike propozimet e saj për Reformën Zgjedhore, të cilat iu dorëzuan komisionit të posaçëm.

Top Channel zbardh i pari draft propozimin e plotë të partisë së Astriti Patozi, i cili kerkon ndryshime të thella jo vetëm ne sistem, por edhe në Kushtetutë.

Propozimet e Bindjes Demokratike

1. Ndryshime në Kushtetutë – për ndërrimin e sistemit politik, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista preferenciale ose të hapura.

Dobësimi i pushtetit të kryeministrit si dhe aplikimi i votimit të detyruar. Rikthimi i KQZ-së në organ kushtetues të depolitizuar.

2. Ndryshime në Kodin Zgjedhor – për të përfshirë atje kryesisht, por jo vetëm, rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat janë bërë stivë tashmë që nga zgjedhjet e vitit 2013.

3.Ndryshime në ligjin “Për partitë politike” – për të vendosur rregulla të reja dhe të forta lidhur me funksionimin, financimin, organizimin dhe zgjedhjet e brendshme të tyre.

4.Ndryshime në Kodin Penal – për të vendosur masa më të rënda ndëshkimore për të gjitha krimet zgjedhore, që nga votuesit e thjeshtë, personat që administrojnë zgjedhjet, e deri tek subjektet politike.

5. Ndryshime në ligjin “Për administatën publike” – për të garantuar paprekshmërinë e administratës publike nga ndryshimet politike, duke përcaktuar qartë rolin dhe vendin e saj gjatë fushatave dhe proceseve zgjedhore.

6.Ndryshime në ligjin “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” – të cilat të sigurojnë, jo vetëm konsensusin politik mes pozitës dhe opozitës, barazinë e palëve në zgjedhje, por edhe një administrim më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri.

7.Hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet – për t’i dhënë mundësi qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e demokracisë direkte, duke çliruar pengesat e qëllimta në Kodin Zgjedhor, që e bëjnë praktikisht të pamundur sot mbajtjen e referendumeve.

RRËZIMI I “PATHYESHMËRISË” SË KRYEMINISTRIT NË PARLAMENT DHE QEVERI TEKNIKE PARA ZGJEDHJEVE

Privilegjet kushtetuese për shefin e qeverisë duhet të hiqen, në mënyrë që, në rast se kryeministri rrëzohet me mocion, parlamenti të ketë mundësinë të krijojë një shumicë të re, siç e kanë pothuajse të gjitha vendet demokratike të botës.

Ndërkohë, të sanksionohet në kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor që 100 ditë para zgjedhjeve kryeministri jep dorëheqjen dhe vendi drejtohet nga një qeveri teknike. Një gjë e tillë do të rrisë besueshmërinë procesit dhe do t’i japë fund debatit mes mazhorancës dhe opozitës për rolin e kryeministrit në manipulimin e zgjedhjeve.

Në mënyrë që të shmangen kundërshtitë mes palëve për emrin e kryeministrit teknik, të caktohet paraprakisht një funksionar i lartë, që kryen përkohësisht funksionet e drejtimit të qeverisë tranzitore, fjala vjen kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

KUFIZIMI I MANDATEVE TË KRYEMINISTRIT (OPSIONALE)

Nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për kombin, në rast se mandatin e shefit të qeverisë e kufizonim, në jo më shumë se dy herë. Shembulli i Amerikës është mëse i mjaftueshëm për ta konsideruar si një histori botërore suksesi, që praktikohet prej mëse 200 vjetësh.

VOTIMI I DETYRUESHËM DO TA RRISTE PRESIONIN E QYTETARIT MBI QEVERINË DHE MBI POLITIKËN NË PERGJITHËSI

Aplikimi i tij duhet të shkojë paralelisht me votimin e emigrantëve, një çështje sensitive dhe e pazgjidhur, e cila rikthehet dhe premtohet sa herë ka zgjedhje në Shqipëri.

DEPOLITIZIMI I ADMINISTRIMIT TË ZGJEDHJEVE DHE RIKTHIMI I KQZ-së NË ORGAN KUSHTETUES

Ka disa formula për kompozimin e komisioneve, por në të gjitha rastet ata që do të administrojnë zgjedhjet duhet të caktohen me short nga një korpus i gjërë me zyrtarë shtetërorë apo punonjës publikë. Depolitizimi do ta çlironte procesin nga kriza dhe konflikte të zakonshme politike dhe do t’i jepte atij besueshmëri më të madhe.

NUMURIMI I NJËKOHSHËM DHE NXJERRJA E SHPEJTË E REZULTATIT (VOTIMI ELEKTRONIK, MË I PREFERUARI)

Numërimi i njëkohshëm i votave duhet të jetë kushti i parë për të pasur zgjedhje normale edhe në Shqipëri, ashtu si në të gjithë rajonin. Ka dy mënyra për ta zgjidhur këtë, me numërim elektronik ose me numërim në qendrat e votimit. Ne do të preferonim votimin elektronik me identifikim biometrik të zgjedhësit, si më i sigurt dhe më i pamanipulueshëm, por edhe kthimi, siç ka qenë përpara vitit 2000, do të ishte gjithsesi një zgjidhje më e mirë.

Votimi dhe numurimi elektronik do të reduktonte shumë edhe debatin për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, pasi do të zvogëlonte interesin e partive për të pasur njerëzit e tyre atje.

FOTO GALERI
8/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA