Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka filluar numërimi 26 mijë e 819 votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, për të cilin u tha se do të marrë rreth dy ditë. Pas përfundimit të këtij procesi, u tha se shpallja e rezultateve të përgjithshme nga KQZ do të bëhet në fillim të javës se ardhshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky numërim i votave ka ardhur pas verifikimeve të tyre, teksa bëri të ditur se disa prej tyre edhe janë refuzuar.

“Ka filluar numërimi i Votave me Kusht dhe Votave të Personave me Nevoja të Veçanta. Numërimi i tyre është faza e radhës pas verifikimit të tyre. Numri i zarfeve me fletëvotime me kusht në nivel vendi ka qenë 26 mijë e 382 dhe pas verifikimeve janë konfirmuar 24 mijë e 804 ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 578. Ndërsa, vota të personave me nevoja të veçanta në nivel vendi kanë qenë 2 mijë e 142, por pas procesit të verifikimit janë konfirmuar 2 mijë e 15 dhe janë refuzuar 127. Pra, do të numërohen 24 mijë e 804 vota me kusht dhe 2 mijë e 15 vota të personave me nevoja të veçanta, që në total bëjnë 26 mijë e 819”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së nuk e mohoi mundësinë që vendvotim të shkojë prapë në rinumërim.

“Nëse do të ketë ndonjë rekomandim tjetër për rinumërim nga ana e QNR-së, unë deri në këto momente nuk e di…Pasi ta përmbyllim procesin e numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta janë disa procedura të tjera në QNR që zhvillohen pas procedurës të numërimit, që do t’i hapin rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit të këtij viti. Besojmë që shpallja e rezultateve do të bëhet nga KQZ-ja në fillim të javës së ardhshme”, tha ai.

Gjatë mbrëmjes së djeshme ka përfunduar rinumërimi i rreth 514 vendvotimeve dhe votave të ardhura nga Serbia.

Top Channel