E quan lajm të mirë rezolutën për vëllezërit Bytyqi, Haradinaj ka një mesazh për serbët

23/10/2019 11:16

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka quajtur lajm të mirë për vendin miratimin e rezolutës për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi nga Senati amerikan.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka shkruar në Facebook, ku ka kërkuar nga autoritet serbe që të pranojnë se vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve është rruga e vetme drejt paqes dhe drejtësisë.

“Miratimi në mënyrë unanime i Rezolutës për vëllezërit Bytyqi, nga Kongresi Amerikan, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.
Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfishtë që i bëhet familjes Bytyqi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri.
Kjo rezolutë, e miratuar nga ShBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.
I bëjmë thirrje autoriteteve serbe, që ta pranojë këtë realitet dhe mos të fshehin faktet dhe kriminelët, por të distancohen nga ta dhe ti hapin rrugë drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Top Channel