Rikonstruktohet ura e vjetër e Kasabashit; u ndërtua më 1640-n në Skrapar

22/10/2019 12:09

Restaurohet “Ura e Kasabashit” në Skrapar, një monument kulture i kategorisë së parë, e ndërtuar në vitin 1640 dhe e shkatërruar totalisht nga prurjet e lumit “Guak” mbi të cilin është ndërtuar.

Me një fond prej 10 milionë lekësh të akorduara nga ministria e Kulturës ka përfunduar ndërhyrja emergjente, e kërkuar prej vitesh nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Berat. E gjitha kjo për të shmangur përfundimisht këtë monument të rrallë kulture nga rreziku i shembjes së plotë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Berat, Eugen Kallfani ka pohuar se rikonstruksioni i Urës së Kasabashit ka qenë i vështirë për shkak të terrenit.

Ura e Kasabashit është një nga monumentet më me vlera në gjininë e ndërtimeve inxhinierike në qarkun e Beratit. Ajo është një monumet kulture e kategorisë së parë, që i përket shekullit të XVII-të dhe ka shërbyer për kalimin e karvanëve me mallra nga Skrapari në drejtim të qytetit të Korçës.

 

 

Top Channel