Ende pa u krijuar Qeveria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur konsultimet për unifikimin e skenës politike në Kosovë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë- Serbi.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell ka vizituar gjatë së mërkurës Prishtinën, nga edhe është takuar fillimisht me presidentin, Hashim Thaçi, e më pas me përfaqësuesit e partive politike.
Vetë i dërguari i Trump nuk është deklaruar për media, por ambasadori i SHBA-ve për Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se i posaçmi presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon. Ndërsa presidenti Thaçi përmes një komunikate ka theksuar se nuk ka pasur kurrë një vëmendje kaq të madhe nga SHBA-të që nga viti 2008, e kjo shton besimin në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë.
Gjatë takimit me Albin Kurtin, i cili pritet të jetë kryeministër i vendit, ai ka dëgjuar për mundësitë e një marrëveshjeje me Serbinë, por për të cilën Kurti është shprehur se përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të. Derisa Grenell ka theksuar se mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.
Ata janë pajtuar se Qeveria e re duhet të krijohet sa më shpejtë dhe të vazhdohet me komunikimet e rregullta. Përveç me të parin e LVV-së, ai është takuar edhe me kandidaten e dytë më të votuar, Vjosa Osmani, kreun e PDK-së, Kadri Veseli, e atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Takimet janë zhvilluar të ndara për rreth 30 minuta. Pas Prishtinës, të enjten Grenell do ta vizitojë edhe Beogradin.
Përveç Grenell në Kosovë ka qëndruar edhe përfaqësuesi për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, e për këtë ambasadori Kosnett ka thënë se për arritjen e marrëveshjes duhet punë ekipore.
Top Channel