Kurt Volker, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Ukrainë dhe një dëshmitar kyç në hetimin që po kryen Kongresi për shkarkimin e presidentit ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të një instituti prestigjioz që mban emrin e senatorit të ndjerë amerikan John McCain.
Instituti McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare me qendër në Uashington, i cili bashkëpunon me universitetin Shtetëror të Arizonës e bëri njoftimin mbi këtë vendim të hënën, duke thënë se dorëheqja e zotit Volker ishte vullnetare.
“Në shtatë vitet e fundit, kam punuar fort me zonjën Cindy McCain, universitetin Shtetëror të Arizonës dhe me një ekip të kualifikuar, për të ndërtuar një institut të përkushtuar ndaj mbështetje së atyre që kanë qasje prej udhëheqësie si dhe për të bërë ndryshimin në botën ku jetojmë për një gamë të gjerë çështjesh”, citohet të ketë thënë zoti Volker në një njoftim për shtyp.
“Njoftova sot presidentin e universitetin Shtetëror të Arizonës dhe zonjën McCain se besoj se përqëndrimi së fundmi i medias në punën time si përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për negociatat me Ukrainën, rrezikon të bëhet një shpërqendrim për arritjet dhe rritjen e vazhdueshme të Institutit. Për këtë arsye po jap dorëheqjen nga detyra e drejtorit ekzekutiv të Institutit McCain për Udhëheqje Ndërkombëtare”.
Cindy McCain, e veja e senatorit, falënderoi zotin Volker për vitet e shërbimit dhe “përkushtimin ndaj bashkëshortit të saj dhe gjithë familjes McCain”.
Njoftimi vjen vetëm katër ditë pas dëshmisë së zotit Volker përpara disa komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me përfshirjen e tij në marrëdhëniet e Presidentit amerikan Donald Trump me Ukrainën.
Zoti Volker, i cili u emërua si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën nga ish-sekretari i shtetit Rex Tillerson në 2017, kishte një marrëveshje të pazakontë me Departamentin e Shtetit. Si ish-ambasadori amerikan në NATO kishte marrë përsipër rolin e të dërguarit të posaçëm me kohë të pjesshme dhe pa pagesë, ndërsa mbante detyrën e drejtorit ekzekutiv të institutit McCain./VOA
Top Channel