Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se AAK nuk dëshiron rinumërim të votave dhe përmbysje të rezultateve.
Pavarësisht se gjatë ditës së sotme LDK e ish-partnerët e tij të PAN-it kanë kërkuar një gjë të tillë, Haradinaj konsideron se është e padrejtë që të dëmtohet një ditë, si ajo e 6 tetorit.
Para mediave, ai sot është zotuar se partia e tij, është rritur me 35 për qind.
“AAK në këtë rast koalicioni ynë e pranon rezultatin zgjedhor, ashtu siç është i njoftuar nga KQZ, nuk kërkojmë rinumërim, pra nuk e kontestojmë rezultatin zgjedhor, nëse në ndonjë rast të caktuar një deputet ka vërejtje e gëzon lirinë me kërkuar, por ne nuk kërkojmë rinumërim as përmbysje të rezultatit, sepse mendojmë që është e padrejtë të dëmtohet një ditë kaq të mirë zgjedhore, një sukses kaq të madh të demokracisë tonë. Ne e respektojmë, qytetari nuk na ka jep të drejtën për formimin e Qeverisë, ia ka jep partive tjera, dhe ne i urojmë partitë për suksesin e arritur. Ne vazhdojmë t’iu mbetemi besnikë temave, të cilat i kemi listuar, aty ku një qeveri e ardhshme angazhohet në këto tema, e përkrahim, por nuk do të bëjmë kompromis për këto tema”, tha Haradinaj.
Krahas kësaj, Haradinaj tha se në bazë të rezultateve të KQZ-së, AAK-së i takojnë 14 ose 15 deputetë.
Ai foli edhe rreth vazhdimit të koalicionit me PSD-në, duke thënë se nuk kanë ndonjë bisedë për të ardhmen, pavarësisht se nuk dolën fitues të zgjedhjeve.
Haradinaj pati dy fjalë pati edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, partia e të cilit doli e para sipas rezultateve preliminare.
“Ju e dini, edhe nuk dua të prish vendimin e sovranit. Sovrani ka vendos kujt i jep besim, ne e respektojmë atë. Ju e dini mendimin tim për liderin e LVV-së. Për fat të keq mendoj se nuk është ajo që është premtuar, ekziston mundësia reale e një mashtrimi edhe një zhgënjimi prej qytetarëve, pikërisht me fituesin. Por kjo i mbetet së ardhmes, shpresoj që unë jam gabim. Ne nuk kemi pozicion për individ, nuk kemi pasur as për Thaçin, as për të tjerët. Por kemi pozicion për temat, nëse një qeveri e ardhshme angazhohet për këto tema, ne e përkrahim pa marrë parasysh se kush i prin, por nëse i shkel këto tema, ne jemi opozitë”, u shpreh ai.
Sa i përket asaj se a mund të formohet Qeveria pa Listën Serbe, Haradinaj tha se kjo është në dorën e fituesit të zgjedhjeve.
Ndonëse, edhe gjatë qeverisjes pati mospajtime të mëdha me Partinë Demokratike të Kosovës, Haradinaj në këtë konferencë tha se do të bashkëpunojnë edhe me pozitën dhe opozitën, e pasi që së bashku me PDK-në do të jenë në opozitë, tha se do të ketë bashkëpunim atëherë kur do të ketë qëndrime të drejta në tema.
Top Channel