Vëzhguesja e BE-së: Procesi i votimit po shkon pa probleme

06/10/2019 11:47

Kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka vizituar paraditen e sotme disa qendra të votimit në Prishtinë, prej ku ka thënë se procedurat e hapjes së vendvotimeve kanë shkuar pa problem.

Ajo ka theksuar disa incidente të vogla, por sipas saj, në përgjithësi, procedurat në orët e para të votimit kanë rrjedhur pa problem.

Nga Fakulteti Filologjik i Universitetit të Prishtinës, ku janë të vendosura disa qendra të votimit, kryesuesja e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE, ka thënë se gjatë ditës do të ketë më shumë vëzhgim dhe se procesin e votimit do ta mbrojnë gjatë tërë ditës së zgjedhjeve.

“I kemi disa incidente të vogla, por në përgjithësi të gjitha procedurat, prej asaj se çfarë kemi vëzhguar kanë shkuar mirë, nuk ka pasur ndonjë problem. Unë mendoj se një ose dy votues nuk ishin në vendvotimet e duhura, ose ndonjë gjë e tillë, mirëpo nga ajo se çfarë kemi vëzhguar rreth 98 përqind është duke shkuar mirë dhe pa probleme.

I kishim 30 ekipe për hapjen e vendvotimeve dhe do t’i kemi 58 ekipe në teren për tërë ditën”, ka thënë Cramon-Taubadel.

Ajo ka thënë se procesi duket i qetë, por që sipas saj është herët të flitet meqë kanë kaluar vetëm pak orë që kur janë hapur qendrat e votimit.
Megjithatë, vëzhguesja e Bashkimit Evropian theksoi se nuk ka ndonjë indikacion që mund t’i shqetësojë.

Top Channel