Të paktën 1 milionë e 937 mijë votues mund t’i drejtohen sot kutive të votimit në Kosovë, për të zgjedhur anëtarët e ardhshëm të parlamentit të saj. Komisioni qendror i zgjedhjeve ka rezervuar për ta 2 mijë e 547 vend votime, në 895 qendra që janë gjithsej, në 38 komunat e vendit.

Procesi nis në oren 07.00 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 19.00, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës brenda 12 orëve të së dielës së 6 tetorit. Situata paraqitet e qetë, dhe policia ka marrë të gjitha masat për të patur një proces zgjedhor normal.

Më herët Policia e Kosovës deklaroi se ka një plan operacional, për të siguruar këtë proces. Me anë të një deklarate ajo ka siguruar të gjithë qytetarët e kësaj Republike se, nisur edhe nga informacionet që ka mbledhur deri më tani edhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese parashikohet një klime e qetë dhe e sigurt për vendin para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Policia ka theksuar se, operacioni policor është ndarë në katër faza, periudha parazgjedhore, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë ditën e zgjedhjeve, si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të madh zyrtarësh policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin të gjithë sektorëve te saj, por çka është më e rëndësishme ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë qe do te lidhen direkt me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë process, nëse do të hasen probleme.

Ndërkohë që ka një tjetër grup pune që do të jetë i gatshëm të marrë masa për nisjen e procedimeve penale për çdo vepër kundër të drejtës së votimit, dhe për këtë ky grup është i koordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me të cilën ka edhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Top Channel