Krenaria shqiptare – Ja pse gështenjat e Tropojës janë super të kërkuara në Europë

05/10/2019 06:44

Gështenjat janë ndër arrorët më të mirë për veshkat.

Gështenjat e Tropojës janë të vetmet gështenja shqiptare që përmbushin plotësisht cilësinë e kërkuar për eksport në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Studime të shumta kanë treguar se gështenjat e kësaj zone janë më të mëdha dhe më të ëmbla se gështenjat e tjera lokale.

Dhe po t’u shtosh dhe pyjet natyrale, prodhimin natyralisht organik dhe freskia e Alpeve ku ato rriten, padiskutim i bën ato akoma më unike në shije.

Gështenja e Tropojës ajo që kryeson eksportin, duke qenë gështenja e vetme shqiptare që përmbush kriteret e cilësisë për t’u eksportuar në BE.

Sipas tregëtarëve të pyetur nga AgroWeb.org, kërkesa ndërkombëtare për gështenja me cilësi të lartë ka qenë në rritje që prej gjysmës së dytë të viteve 1990, pjesërisht edhe për shkak të interesit në rritje të konsumatorëve ndaj produkteve tradicionale dhe ekologjikisht miqësore.

Cilat vende i kërkojnë me ngulm Gështenjat e Tropojës?

Gati e gjithë sasia e mbledhur nga Masivi i Pyjeve të Gështenjave të Tropojës shkon për eksport, ku kryeson Italia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Në tregun e huaj gështenjat shqiptare shiten disa fish më shtrenjtë se në vend duke sjellë një tkurrje të plotë të pranisë së këtyre gështenjave në tregun shqiptar.

Në Shqipëri prej disa vitesh funksionojnë pesë kompani që mbledhin gështenja për eksport drejt tregjeve të huaja.

Kërkesa e tregut vendas mbetet e lartë dhe kjo tregon mundësi për zhvillim të gështenjave shqiptare për eksport, por sidomos për të përmbushur nevojat e tregut të brendshëm.

Gështenjat shqiptare në pjesën më të madhe gjenden në anë të maleve dhe kodrave në Kolgecaj dhe Lekbibaj në Tropojë, në Shënmëri në Kukës, Mes dhe Shllak në Shkodër, Kashnjet në Lezhë, Shupal në Tiranë, në Pogradec, në Muzinë në Delvinë, Dhrovjan dhe Leshnicë në Sarandë.

Ndërkohë që edhe zona të tjera si Berati, Skrapari, Përmeti, Gramshi dhe Tepelena e kultivojnë gështenjën, por në sasi më të vogla në një sipërfaqe totale prej 8000 ha.

AgroWeb.org raporton se brenda këtyre sipërfaqeve ka me qindra hektarë që mund të mbillen me gështenja, duke rritur kështu në mënyrë të madhe numrin ekzistues.

Kjo për të përmbushur urinë e tregut evropian dhe duke i dhënë një shtysë të fortë ekonomisë së këtyre zonave që mbajnë familjet nga shitja e tyre.

Por sidomos masivi i gështenjave të Tropojës ka nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje, mbështetje me teknikë dhe ndihmesë direkte për të siguruar vazhdimësinë e këtij produkti kaq të kërkuar nga tregjet e BE-së.

Pse arrorët janë një mundësi e artë për rritje ekonomike?

AgroWeb.org raporton se përgjithësisht sektori i arrorëve (arrat, lajthitë, gështenjat dhe bajamet) shihet si një sektor me potencial të lartë për eksport për shkak të shumë avantazheve.

Që nga klima e favorshme tek kushtet e tokës, fitimi i lartë, kërkesa e papërmbushur e tregut ndërkombëtar dhe duke qenë se nuk kërkon shumë marketing dhe kërkesa për ruajtje.

Përvoja e fundit dhe rritja e shpejtë e drurëve frutorë tregojnë se fermerët shqiptarë janë të etur dhe të shpejtë në adoptimin e teknologjive moderne të prodhimit.

Në të njëjtën kohë kosto e punës është shumë e ulët duke krijuar një avantazh në këtë aspekt.

Nga ana tjetër afërsia e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe procesi i saj i anëtarësimit për t’u bërë anëtare e BE gjithashtu ofrojnë avantazhe të shumta.

Që nga kosto e ulët e transportit dhe regjimit tarifor preferencial për të gjithë prodhimet shqiptare të eksportuara në BE, duke bërë që ato të jenë konkuruese në treg./AgroWeb

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA