Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber mendon se perspektiva e re e kosovës do të varet nga krijimi i koalicioneve. Këto zgjedhje, Bieber i sheh si të rëndësishme pavarësisht se po zhvillohen para kohe.

“Ndoshta janë zgjedhje që nuk do ta nxjerrin qartë në pah një drejtim të caktuar, se në radhë të parë bëhet fjalë për orientimin e brendshëm politik në Kosovë në të ardhmen, në kuptimin se sa do të jetë në gjendje të dominojë edhe më tej PDK-ja, partia që ka qenë që para pavarësisë dominante në Kosovë. Kjo është çështja që vendosin këto zgjedhje, ndërsa lidhur me temën e dialogut, Kosovë-Serbi, zgjedhjet ndoshta hapin perspektiva të reja, por nuk shoh ndonjë ndryshim të madh kursit. Nëse kjo bëhet, atëherë do të jetë më shumë si rezultat i krijimit të koalicioneve, se sa nga vetë zgjedhjet”, shprehet Bieber.

I ngarkuari i ri I BE-se me politiken e jashtme është spanjolli Joseph Borell, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Pikërisht fakti që ai po shqyrton mundësinë e emërimit të një të ngarkuari special për bisedimet Kosovë-Serbi, shihet nga disa me shqetësim. Bieber mendon se Borrell, shumë pak është marrë seriozisht me këtë çështje.

“Pyetja kryesore, është se kush do të jetë i ngarkuari apo e ngarkuara e posaçme për dialogun, pra me çfarë profili, me çfarë rëndësie, sepse ky i ngarkuar do të jetë në fund ai ose ajo që do të gjejë një format të ri e duhet t’i japë peshë atij. Për Borrell është e rëndësishme që ai ta mbështesë këtë, po ashtu edhe euro komisioneri i zgjerimit. Ka ende gjëra të panjohura, dhe ende nuk kemi parë që BE ka një strategji për këtë, sigurisht është shumë herët”, ka thënë Bieber.

Top Channel