Rama: Mjaft më duke u gëzuar nga çdo lajm i keq për Shqipërinë, të bëjmë urgjentisht Reformën Zgjedhore

03/10/2019 12:24

Gjatë fjalimit të tij të gjatë në Parlament, ku foli rreth procesit të negociatave, kryeministri Edi Rama i mëshoi faktit se duhet të bëhet sa më shpejt Reforma Zgjedhore në vend.

“Në qoftë se jeni patriot duhet urgjent, bashkërisht të bëjmë reformën si fazë të parë, të ulemi dhe të marrin një për një pikat e OSBE/ODIHR-it. Ato janë e zeza në të bardhë, merren dhe futen në ligj, me atë letër i thuhet Gjermanisë mike, që është avokate e çeljes së negociatave, ne i kemi plotësuar të dyja këto kushte. Pastaj vazhdojmë ne flasim për sistemin, votën e emigrantëve, që do ta bëjmë edhe pa ju, por e mira është të bini dakord. Reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ta bëjmë urgjent, ata që janë jashtë nuk e duan, ju që jeni brenda nuk keni pse të mos e doni”, u shpreh Rama.

 

Më tej shtoi:

“Kur flasim për Shqipërinë, mos e  rrotulloni gjuhën tuaj duke patur parasysh kush është aty mbrapa, por shikoni kush është aty para. Ka shumë të drejtë presidenti francez, ai e sheh të ardhmen ndryshe, ndaj nuk i figuron zgjerimi i shpejtë; BE në krizë që prej llumit të refugjatëve. S’po ikim as në kishë as në xhami ku janë të falur të gjithë mëkatarët, po kërkojmë të hyjmë në një familje të debateve të mëdha, ku konvergjenca është shumë e vështirë, nuk është një udhëtim i imi sot, as i kësaj qeverie, është një udhëtim i përbashkët, nesër do t’ju vijë radha ju, mjaft më duke minuar për të sotmen rrugën e përbashkët të së ardhmes, gjithë kohës duke gënjyer, shpifur, shpifur dhe duke u gëzuar nga çdo i lajm i keq për Shqipërinë, dhe duke prodhuar skena për t’i shpërndarë në të gjithë botën, ku po digjen institucionet, filma, të cilat ata që duan t’i shohin jo si filma, që duan t’i shesin si realitet i mirëpresin. Kush e tha që ne u dashka të plotësojmë 9  kushte, ne duhet të plotësojmë 999”, tha Rama.

 

Top Channel