Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti tha në Kaçanik se pas 6 tetorit do të thyhet krimi, papunësia dhe varfëria.
Aty ai premtoi që përmes punësimit sezonal do të punësojnë nga një anëtarë të çdo familje, që janë në skemën sociale. Duke aluduar në fitoren e subjektit që ai e udhëheq, Kurti para kaçanikasve tha se populli i Kosovës nuk e ka pasur asnjëherë më të vështirë gjendjen ekonomike sesa tani, porse theksoi se nuk e ka pasur asnjëherë më të lehtë ndryshimin.
“Me grantin e katërt për komunat në vlerë të gjithmbarshme prej 600 milionë euro, ne do të investojmë në infrastrukturën dhe ekonominë e Kaçanikut, në ujësjellës, kanalizime, në rrugë e në ndriçim, në parqe e në sheshe. Erdhi dita për komunën, erdhi drita për komunën e Kaçanikut. Erdhi dita që të kujdesemi për ata që kanë nevojë për kujdesin e shtetit. Në një vend me kaq shumë varfëri, zor se mund të ketë njëmend demokraci. Ne jemi për demokraci. Në Kaçanik sot janë mbi 800 familje me mbi 3 mijë anëtar të varur nga ndihma sociale, që i ofron veçse 80 cent në ditë. Për vete i morën fabrikat, fitimin e prodhimin, e juve ua lanë skamjen e mjerimin. Por, skema jonë e punësimit sezonal do të garantojë një të punësuar për çdo familje që është në skemë sociale”, tha Kurti.
Në Kaçanik, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër premtoi se do të rrisin prodhimin dhe do të mbrojnë konsumatorin. Duke shpalosur premtimet e Lëvizjes për qytetarët e Kosovës, ai tha se është koha e ligjeve dhe masave.
“Më shumë çerdhe për fëmijët e pavarësi për prindërit, duke ndarë shtesat për fëmijët në llogari të nënave, gratë i ruajnë paret më mirë. Pra, 240 euro në vit për fëmijët nën 2 vjeç, e 120 euro për fëmijët deri në 16 vjeç, në xhirollogari të nënës. Të gjitha familjet që kanë të ardhura të ulëta, do të rimbursohen deri në 150 euro, varësisht prej të ardhurave vjetore që marrin si familje dhe kjo për secilin fëmijë nga një shumë të tillë”, u shpreh ai.
Kurse kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete në Kuvendin e Kosovës, Vlera Gjakova, u shpreh se gratë dhe vajzat do të nisin emancipimin e tyre kur të dalin dhe të votojnë Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk jepet tokë për viza, por tregohet aftësi për integrim. NË Ballkanin PErëndimor, ne jemi fuqia më e madhe me zbatimin e prioriteteve të qeverisë Kurti. Energjia, pastërtia e institucioneve dhe fuqzimi i gruas nisin më 6 tetor”, u shpreh ajo./KosovaPress
Top Channel