Një tjetër shtëpi,e cila u bë e pabanueshme për shkak të tërmetit të 21 shtatorit, ka nisur rindërtimin nga e para.
Disa ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vizitoi shtëpinë e Edmond Zelës në Vaqarr, të cilit i premtoi se do të hyjë në shtëpi të re para Vitit të Ri.
Ndaj pa humbur kohë ndërmarrjet e bashkisë në bashkëpunim me donatorët privat kanë nisur punën në terren. Pasi u bënë matjet, arkitektët realizuan edhe projektin që bën të mundur rindërtimin e shtëpisë së re që do ofrojë kushte komode banimi për 7 familjarët e kësaj shtëpie dhe në mënyrë të veçantë për tre vajzat e vogla.
Ka qenë vet kryetari i bashkisë së Tiranës ai që ka dhënë lajmin e mirë, teksa ka publikuar edhe projektin e kësaj shtëpie të re që do ndërtohet në Vishnje.
Kryebashkiaku Veliaj ka postuar disa foto në Facebook, teksa falënderon aktorin e Portokallisë Gaz Paja, i cili së bashku me miqtë e tij ka marrë përsipër investimin për shtëpinë e re të Edmond Zelës dhe familjes së tij.
“Edhe shtëpia e Edmond Zelës në Vaqarr nisi rindërtimin! Faleminderit Gaz Pajës që mori përsipër investimin me miqtë e tij! Projekti i ri gati – nesër nis një ditë e re për Edmondin e familjen e tij hallëmadhe! Secili nga ne e ka një engjëll brenda vetes, për të ndihmuar dikë në nevojë, apo një djall që bën cinikun e ironikun. Pyetja është, kë zgjedhim të na drejtojë çdo ditë?”, shkruan kryebashkiaku Veliaj në Facebook.
Top Channel