Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë dhe votojë këtë të enjte një rezolutë për çeljen e negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. Gazetari i Top Channel- it, Muhamed Veliu ka mundur të sigurojë një kopje të rezolutës ku thuhet se:
“Prandaj me anë të kësaj projektrezolute kërkohet që institucionet shqiptare, bazuar në parimet demokratike, në institucionet demokratike dhe me një përfaqësim të ligjshëm të vijojë e përqëndruar në reformat e ndërmarra dhe t’i përfundojë ato në respektim të kuadrit kushtetues e ligjor në fuqi, duke bërë të mundur rezultate konkrete në zbatimin e përparësive të vendosura nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave deri në anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian.
Projektrezoluta i drejtohet gjithashtu edhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian në kuadër të Summit-it të ardhshëm të Këshillit Europiani cili do të mbahet me datat 17-18 tetor 2019, ku një ndër pikat e diskutimit në rendin e ditës do të jenë edhe vendimet për hapjen e negociatave me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Maqdonisë së Veriut”, shkruhet ndër të tjera.
10 pikat e rezolutës
-Vlerëson Raportin e Komisionit Europian të datës 29.05.2019 dhe rekomandimet e tij për reformat e mëtejshme në kuadër të procesit të integrimit europian;
-Vlerëson rolin e tij në drejtim të zhvillimit të dialogut gjithëpërfshirës, mbështetur në parimet demokratike, brenda kuadrit kushtetues dhe institucional mbi çështjet e integrimit europian;
-Rikonfirmon dhe vlerëson forcimin e mëtejshëm të rolit të tij në mbikqyrje të reformave integruese te vendit;
-Thekson se angazhimi i qëndrueshëm institucional për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe përfundimeve të Këshillit Europian përbën përparësinë kryesore të punës së Kuvendit të Shqipërisë;
-Mbështetet fuqimisht Reformën në Drejtësi si një reformë kyçe dhe një reformë shumë e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë si dhe Inkurajon institucionet kompetente, për ngritjen e organeve të reja të reformës në Drejtësi si Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK), Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Gjykaten Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
-Kërkon nga organet ligjzbatuese, rezultate konkrete dhe të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave të njeriut dhe minoriteteve;
-Shpreh vullnet të plotë për të ecur në rrugën e reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit, duke u bazuar në frymën e mirëkuptimit ndërpartiak dhe në bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile;
-Shpreh vullnet të plotë për të çuar përpara reformën për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas parimeve demokratike dhe standarteve ndërkombëtare, në interest të qytetarëve shqiptarë;
-Shpreh angazhim të plotë për mbikqyrjen e përparësive të vendosura nga Komisioni Europian si kusht për hapjen e negociatave dhe nxitjen e Qeverisë dhe institucioneve të pavarura për zbatimin e këtyre përparësive;
-Duke kondideruar që anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian tejkalon çdo interes partiak pasi mbështetet nga gati tërësia e qytetarëve shqiptarë, inkurajojmë vendet anëtare të Bashkimit Europian që në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian të shprehin vullnetin e tyre për hapjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Top Channel