SHBA/ Demokratët në Kongres pritet ta fillojnë zyrtarisht proceduart për shkarkimin e Trump

25/09/2019 01:28

Demokratët në Kongresin Amerikan pritet të fillojnë zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit Trump, lidhur me një telefonatë që ai ka patur me presidentin ukrainas dhe ku aludohet se zoti Trump i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik Joe Biden.

“Tani i kemi faktet dhe jemi gati për sonte,” tha të martën Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi. Ajo tha se do të ishte gabim nëse Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Ukrainës që të nisë një hetim për një rival të tij politik, edhe nëse kërkesa nuk do të kishte lidhje me zhbllokimin e miliona dollarëve ndihmë amerikane për Kievin.

“Nuk është çështja nëse ka patur ose jo një shkëmbim favoresh në bisedën e tij telefonike me presidentin ukrainas,” tha zonja Pelosi. “Nëse presidenti ngre çështjen se dëshiron që ata të hetojnë rivalin e tij politik, atëherë kuptohet që kjo nuk është e drejtë.

Ne nuk u kërkojmë qeverive të huaja të na ndihmojnë në zgjedhjet tona”, tha ajo. Ndërkohë ish-zvpresidenti Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje Donald Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi Bidden, Trump rrezikon të largohet nga posti.

Top Channel