Aleksandar Vuçiç dhe Kyriakos Mitsotakis janë takuar në Nju Jork ku ndodhen për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca serbe thuhet se, Vuçiç ka kërkuar nga kryeministri grek që të mos ndryshojë qëndrim sa i përket pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Presidenti serb e ka konsideruar jetik për vendin e tij pozicionin e Greqisë për të mos e njohur Republikën e Kosovës.

Ai e ka njohur Mitsotakis edhe mbi situatën e krijuar midis Beogradit dhe Prishtinës pas vendimit të autoriteteve kosovare për të caktuar një taksë 100% për produktet serbe.

Sipas të njejtit njoftim, kryeministri Mitsotakis ka theksuar se mbështet dialogun Prishtinë-Beograd, por vendi i tij nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket pavarësisë.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur ende Kosovën. Rumania, Spanja, Qipro dhe Sllovakia janë katër shtetet e tjera që mbajnë të njejtin qëndrim.

Top Channel