I vendosi tritol në derën e banesës 47-vjeçares, shpallet në kërkim 60-vjeçari në Tiranë/ Në momentin e ngjarjes në makinë kishte dy vajza të mitura dhe një 21-vjeçare

23/11/2026 16:11

Me një makinë të marrë me qira dhe 3 vajza të reja në makinë, 60-vjeçari Albert Zevelizhda vendosi eksploziv në derën e një 47-vjeçareje në Tiranë, duke menduar se do të mbetej anonim.

Por kjo nuk ndodhi. Pas 9 ditësh hetimesh dhe këqyrjesh të kamerave të sigurisë, policia e Tiranës mundi të binte në gjurmët e 60-vjeçarit në Elbasan, me precedent penal jashtë vendit.

Ngjarja ndodhi më 14 nëntor, te rruga “Sadik Petrela”, ku në derën e jashtme të një 47-vjeçareje, e cila punonte në një lokal, shpërtheu një lëndë eksplozive, duke shkaktuar dëme materiale.

Pasi vendosi eksplozivin, që policia dyshon se e ka bërë me pagesë për interes të dikujt tjetër, 60-vjeçari u largua në rrugica, ndërroi veshjet dhe, pasi mori 3 vajzat, të cilat i kishte fqinje, nga një lokal në zonën e ish-Bllokut, u kthye sërish në Elbasan.

Pas identifikimit, policia shpalli në kërkim 60-vjeçarin, ndërkohë që procedoi në gjendje të lirë 3 vajzat 17, 18 dhe 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur ditën e ngjarjes, si dhe 4 aparate celularë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 14.11.2026, në rrugën “Sadik Petrela”, ku shpërtheu një sasi e dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 60-vjeçar, i dyshuar si autor i ngjarjes.

Procedohen penalisht 3 shtetase, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sekuestrohen automjeti i përdorur ditën e ngjarjes dhe 4 aparat celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit për shpërthimin e një sasie të dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetases A. M., në rrugën “Sadik Petrela”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave, si dhe kryerjes së veprimeve të tjera procedurale, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorit të dyshuar shtetasit A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 shtetase, A. Ç, 21 vjeçe, A. L, 18 vjeçe dhe një 17-vjeçare, komshinj me autorin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me autorin e dyshuar, në momentin e kryerjes së ngjarjes, dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur ditën e ngjarjes, si dhe 4 aparat celularë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel