Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e disa punonjësve të Policisë së Pukës, të cilët kanë dhunuar dhe sharë një qytetar gjatë shoqërimit në komisariat.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 28 janar 2019, ku disa efektivë të policisë janë futur në një lokal dhe kanë dhunuar dhe sharë Visar Dodanin. E gjithë situatë është filmuar nga vetë qytetari, ku dëgjohen punonjës policie që e shajnë dhe ofendojnë qytetarin: “Ke ndonjë hall aaa. Për Kish të Laçit gjallë të hamë. Pusho mor b. q., futu brenda në makinë”. Deri më tani, megjithëse kanë kaluar muaj nga ngjarja, policia ka bërë vetëm një “ecuri disiplinore”, ndërkohë që asnjë punonjës nuk është ndëshkuar.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z.Ndue Dodani, i cili tha se djali i tij, Visari, në datën 28 janar ka qenë duke luajtur bilardo në një lokal. “Djalit tim, i është ushtruar dhunë psiqike, morale, fizike nga dy punonjës policie nga dy punonjës policie Mark Gjergji dhe Ndue Matoshi, të shoqëruar nga një OPGJ” thotë ai, ndërsa shton se djali i tij ka qenë me dy shokët e tij dhe para se të shkonte te bilardo, kanë lëvizur me një automjet, të cilin e drejtonte një shoku i Visarit.

“Kanë parkuar dhe janë futur në bilardo. Këta policët e pikasën mjetin dhe në vend që të merren me mjetin që është parkuar gabim, kanë hyrë brenda dhe kanë kërkuar që djali të largojë makinën. S’kanë marrë asnjë gjobë asnjë gjë. Atëherë këtu kanë shkëmbyer llafe. Dy punonjësit e policisë kanë shkëmbyer grupin e gatshëm. Kanë ardhur OPGJ Fatbardh Koliçi me dy punonjësit e policisë Mark Gjergji dhe Ndue Matoshi. Kanë hy në bilardo, gjë që i pasqyron dhe kamera që ka filmuar djali. Ky Marku është pa kapele, e kanë marrë forcërisht dhe e kanë goditur me e nxjerrë jashtë. Është me zë e figurë kjo” thotë denoncuesi.

Në videon që na vuri në dispozicion qytetari, duket që punonjësit e policisë futen brenda në bilardo. I thonë qytetarit të shkojë me ta. Qytetari i thotë njërit prej tyre kush është dhe ai i përgjigjet “njeri”. Djali i thotë që vini pesë vetë. Më pas, ata e marrin me forcë dhe e nxjerrin nga lokali. Jashtë, një punonjës policie i thotë nëse “ke ndonjë hall aaa. Për Kish të Laçit gjallë të hamë. Pusho mor b. q., futu brenda në makinë”. Qytetari i thotë “b. m.?”. Punonjësi i policisë i përgjigjet “po, po, hec futu brenda”. Në këto momente dëgjohen disa zhurma të grushteve dhe e fusin në makinë. Në fund, djali i thotë “bukur, faleminderit”.

Për babain e Visarit, fraza “të hamë të gjallë” shprehje kanibalësh. “Këto ndërtuan akuzën që djali im i ka dhunuar. Ka dhunuar pesë vetë një 60 kilësh, pesë luanë që asnjëri nuk është më pas se 120 kg” thotë ai. Në bilardo kanë qenë edhe dëshmitarë të tjerë. Azem Arifi thotë se atë ditë ka qenë në lokal dhe njëri prej policëve i tha djalit që “të hamë të gjallë”. “E nxorën jashtë, e futën në makinë. E rrahën. E kanë procedurë pune këtu. Djali nuk qëlloi asnjë, u terrorizua, kishte frikë. Dëgjova shprehja banale nga punonjësit e policisë, ‘b.q., të hamë të gjallë’. Bum, bum, bum…” thotë ai.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Komisariatin e Policisë në Pukë dhe biseduan me shefin e komisariatit, Asllan Zhivanaj. Zhivanaj na tha se ky komisariat ka bërë një procedim disiplinor ndaj punonjësve të policisë, por megjithëse kanë kaluar disa muaj nga ngjarja, ende nuk ka një masë konkrete ndaj këtyre punonjësve të policisë. Pasi pa videon, shefi i komisariatit tha se “asnjë punonjës policie s’mund të shkeli procedurat”. Por, e çuditshme në këtë rast është që punonjësit e policisë nuk janë ndëshkuar për këtë sjellje dhe dhunë dhe nga ana tjetër, qytetari që është dhunuar dhe sharë është dënuar për kundërshtim të forcave të policisë.

Fiksi bisedoi edhe me një nga punonjësit që ka qenë në atë ngjarje, z.Mark Gjergji, për të cilën denoncuesi tha se është personi që ka sharë dhe dhunuar Visarin. Por, Marku, megjithëse ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore thotë se nuk është zëri i tij dhe se ka zbatuar procedurat.

Bisedë me shefin e Komisariatit të Policisë Pukë, Asllan Zhivanaj

Gazetari – Ne kemi një ankesë për ngjarjen e datës 28 janar, Visar Dodani, për ngjarjen që ka ndodhur në bilardo. Babai i tij na ka sjellë një video, besoj që mund ta kesh parë, të momentit të shoqërimit.

Shefi i Komisariatit – Nejse nuk është … (I tregojmë videon).

Gazetari – Sipas tij, ky person që flet në mënyrë quhet Mark Gjergji, punon këtu. Deshëm të dinim, është marrë ndonjë masë ndaj këtij punonjësi të policisë, duke parë dhe këtë videon.

Shefi i Komisariatit – Tani, për këtë dhe gjëra të tjera, është një zyrë apostafat në Drejtorinë e Policisë për mediat që është e autorizuar me dhënë…

Gazetari – Po meqënëse ne jemi këtu dhe ngjarja është kjo.

Shefi i Komisariatit – Di, di për këtë rast, ka shkuar në prokurori, biles ka shkuar në gjykatë problemi i këtij Dodanit.

Gazetari – Ka shkuar që ky ka ushtruar dhunë ndaj 5 punonjësve të policisë? Se për këtë ka shkuar!

Shefi i Komisariatit – S’e di, referim ka shkuar, në gjykatë në prokurori.

Gazetari – Kush e ka bërë referimin, 5 punonjësit e policisë? Ky s’ka bërë kallëzim megjithëse është ushtruar dhunë fizike, psikologjike.

Shefi i Komisariatit – Tani nuk mund ta gjykoj këtë problemin e dhunës si është.

Gazetari – Ja me këtë video! Mund të sillen në këtë mënyrë punonjësit e policisë shef?

Shefi i Komisariatit – Nuk e pash videon.

Gazetari – Ja ta tregoj prapë.

Shefi i Komisariatit – Nëse është punonjësi i policisë (I tregojmë sërish videon).

Gazetari – Ky është Marku. Nëse na thërret dhe Markun ta pyesim, mos t’ia përmendim emrin.

Shefi i Komisariatit – Marku është në shërbim. Ky ka bërë ankesë, me sa di, te standardet.

Gazetari – Te Drejtoria e Standardeve Profesionale?

Shefi i Komisariatit – Në një zyrë ka vajtur dhe po ndiqet rruga ligjore këtu. Nëse kanë bërë shkelje punonjësit e policisë, do ndëshkohen.

Gazetari – Meqenëse je shef i komisariatit, ke qenë edhe në datën 28 janar, deshëm të dinim…

Shefi i Komisariatit – Do ndëshkohet, nëse punonjësi i policisë ka bërë shkelje do ndëshkohet.

Gazetari – Ai fillimisht e ka sjellë videon këtu, e ka bërë ankesën këtu. Fillimisht, është marrë ndaj këtij punonjësi?

Shefi i Komisariatit – Ka filluar ecuria disiplinore.

Gazetari – Nga Komisariati i Pukës?

Shefi i Komisariatit – Nga Komisariati.

Gazetari – Për këtë ngjarje?

Shefi i Komisariatit – Po.

Gazetari – Tani, dhe diçka duam të dimë. Ky personi, Visari, ka ushtruar dhunë ndaj 5 punonjësve të policisë?

Shefi i Komisariatit – Tani unë me detaje si ka qenë… Është bërë një referim në prokurori, prokuroria e ka dërguar në gjykatë. Është dënuar me sa di unë. Kaq mund të them në vija të përgjithshme.

Gazetari – Është dënuar ky?

Shefi i Komisariatit – Po.

Gazetari – Për ushtrim dhune?

Shefi i Komisariatit – Po, për ushtrim dhune patjetër.

Gazetari – Ky kishte bërë parkim (të gabuar), pse duhet të kërkohet personi, kur mund t’i vendoset masë automjetit.

Shefi i Komisariatit – Tani, me detaje nuk mund të them asgjë.

Gazetari – Duhet të sillen punonjësit e policisë në këtë mënyrë apo jo?

Shefi i Komisariatit – Asnjë punonjës policie s’mund të shkeli procedurat, kjo nuk don ndonjë shkencë të madhe.

Gazetari – I thonë, nga 28 janari, jemi në 18 prill, i thonë dy muaj e ca që ka kaluar ngjarje dhe akoma s’është marrë ndonjë masë?!

Shefi i Komisariatit – Është marrë masë pra, ka filluar ecuria disiplinore.

Gazetari – Vetëm ecuri.

Shefi i Komisariatit – Pastaj ka procedura ecuria.

Gazetari – Vazhdon, 5, 6, 7 muaj.

Shefi i Komisariatit – Nuk mund të them me muaj, po ka ca procedura, ka ca njerëz që merren.

Bisedë me policin “dhunues” Mark Gjergji

Gazetari – Te ne ka ardhur një video e datës 28 (I tregojmë videon). Vetëm duam të dimë, është zëri jot ky apo jo? Ky?

Polici Mark Gjergji – Jo.

Gazetari – Nuk është zëri jot?

Polici Mark Gjergji – Jo.

Gazetari – Për “Kish të Laçit gjallë të hamë”. Nuk është zëri jot?

Polici Mark Gjergji – Jo.

Gazetari – E sigurt?

Polici Mark Gjergji – E sigurt.

Gazetari – (I tregojmë sërish videon). Mua më thanë është Mark Gjergji. A je Mark Gjergji ti?

Polici Mark Gjergji – Unë jam vetë.

Gazetari – A ke qenë atë ditë?

Polici Mark Gjergji – Unë kam kryer veprimet sipas detyrave që na janë ngarkuar, kena bërë shoqërimin e personit.

Gazetari – Të këtij personi? Zëri i kujt është ky? Është punonjës policie?

Polici Mark Gjergji – Nuk e di.

Gazetari – Zëri i autorit nuk është, i personit që shoqërohej.

Polici Mark Gjergji – Unë jam, nuk, zëri im nuk është.

Gazetari – Po i kujt është, është i ndonjë personi tjetër nga toga e shoqërimit?

Polici Mark Gjergji – Nuk e di.

Gazetari – Nuk i tregon shokët!

Polici Mark Gjergji – Nuk e di.

Gazetari – Pse shkuat brenda ta shoqëronit? Çfarë mase kishte marrë (qytetari), kishte parkuar gabim?

Polici Mark Gjergji – Di që na mori salla operative për me shku në ndihmë të patrullës së përgjithshme, mandaj s’dimë gjë.

Gazetari – Kishte parkuar gabim?

Polici Mark Gjergji – Normal.

Gazetari – Në momentin që parkohet gabim, i vendoset një gjobë dhe kaq. S’meret personi ta shpqërosh në komisariat.

Polici Mark Gjergji – Unë jam punonjës policie, nuk jam… Punoj andej…

Gazetari – Ne na thanë në Komisariat që ka filluar një procedim disiplinor ndaj teje. Më thanë që është zëri jot.

Polici Mark Gjergji – Nuk bëhet fjalë.

Gazetari – (I tregojmë edhe njëherë videon). Nuk është zëri jot ky?

Polici Mark Gjergji – Asnjëherë, asnjëherë.

Gazetari – I kujt është, keni qenë 4 punonjës policie.

Polici Mark Gjergji – Nuk e di, ata kanë qenë…

Gazetari – Mark Gjergji, është i Ndue Matoshit?

Polici Mark Gjergji – Nuk e di.

Gazetari – Fatbardh Koliçit?

Polici Mark Gjergji – Unë e di për veten time.

Gazetari – Po pse ka filluar procedimi disiplinor? Ke bërë kallëzim ndaj këtij Visarit?

Polici Mark Gjergji – Kam dhënë një deklarim.

Gazetari – Kallëzim?

Polici Mark Gjergji – Për dijeni.

Gazetari – Të ka dhunuar, të ka kapur?

Polici Mark Gjergji – S’kam bërë kallëzim, kam bërë deklarim.

Gazetari – Po çfarë të ka bërë ai?

Polici Mark Gjergji – Që i ka bërë patrullës.

Gazetari – Që ka bërë kundërshtim?

Polici Mark Gjergji – Po.

Gazetari – Të ka kundërshtuar dhe ty?

Polici Mark Gjergji – Normale, kena pas probleme.

Gazetari – Të ka kapur, të ka dhunuar, se thoshte kundërshtim i forcave të policisë, shkatërrim prone dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë.

Polici Mark Gjergji – Unë i kam bërë veprimet konform të tëna rregullave. Kena bërë deklarime para OPGJ-së, ka shkuar çështja në prokurori. Prokuroria e ka çuar në gjykatë. Është liruar më pas.

Gazetari – Momentin e shoqërimit ta kapësh me forcë. Dhe e dyta, ta shash, ta ofendosh.

Polici Mark Gjergji – Asnjëherë.

Gazetari – Ja, ja tek është. E pe videon, ta tregoj edhe njëherë.

Polici Mark Gjergji – Unë të kuptoj shumë mirë, më vjen keq tashi.

Gazetari – Je në shërbim.

Polici Mark Gjergji – Po.

Gazetari – Nga data 28 s’kanë marrë asnjë gjë, vetëm kanë filluar procedim disiplinor.

Polici Mark Gjergji – Kam dhënë deklarime në SHKB.

Gazetari – Vetëm deklarime, ndonjë masë?

Polici Mark Gjergji – Presim, s’dimë gjë. Unë jam në shërbim.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA