Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i bëri thirrje të enjten kundërshtarit të tij kryesor Benny Gantz që të formojnë së bashku një qeveri uniteti, në kushtet kur zgjedhjet e përgjithshme nuk nxorën një fitues të qartë.

Nëpërmjet një video mesazhi Netanjahu, tha se shpresat e tij për krijimin e një qeverie të krahut të djathtë nuk janë të mundshme për shkak të rezultatit në zgjedhje.

“Ne duhet të krijojmë sot qeverinë e unitetit me bazën më të gjerë të mundshme. Njerëzit presin që ne të marrim përgjegjësinë dhe të bashkëpunojmë”, ka thënë Netanjahu.

Por Benny Gantz, kundërshtari kryesor i Netanjahut në zgjedhje, thotë se ai duhet të jetë kryeministri i një qeverie uniteti.

“Unë jam i interesuar dhe dua të krijojmë një qeveri uniteti me bazë të gjerë dhe liberale, të kryesuar nga unë. Një qeveri që mund të shprehë vullnetin e popullit dhe të mbajë premtimet që i kemi bërë izraelitëve. Ne nuk do të dorëzohemi para asnjë diktimi. Do të dëgjojmë të gjithë por nuk do të dorëzohemi përballë presionit”, është shprehur Gantz.

Asnjë nga partitë nuk arriti të fitojë 61 vendet e nevojshme për të siguruar shumicën në parlamentin prej 120 anëtarësh. Partia Bardhë e Blu e Gantz, gëzon një avantazh prej dy vendesh në raport me partinë Likud.

Në mungesë të një fituesi të qartë duket se fati i qeverisë së ardhshme ndodhet në duart e Avigdor Liebermanit, kreu i partisë Yisrael Beytenu (Izraeli Shtëpia Jonë). Ai ka thënë vazhdimisht se është në favor të një qeverie uniteti, duke nënkuptuar një qeveri që do të përfshinte partinë e tij krahas dy partive të tjera të mëdha.

Top Channel