Skandalet e diplomacisë është dokumentari i radhës “Top Story”, që pritet të shfaqet sot në darkë.
Nëpërmjet dokumentave ekskluzive, për herë të parë do të ekspozohen të gjitha shkeljet në shërbimin e jashtëm, që nga viti 1997 e deri në ditët e sotme.
Emërimet politike dhe pa asnjë kriter, janë një plagë që e kanë dëmtuar shumë diplomacinë shqiptare. Top Story do të pasqyrojë me emra konkretë sesi është shkelur ligji për shërbimin e jashtëm nga Ministrat ndër vite.
Gjithashtu në këto emërime nuk mungojnë edhe persona me rekorde kriminale, një fenomen i rëndë që vijon të jetë i pranishëm në politikë dhe administratë.
Një tregues mjaft i qartë se si politika ka nëpërkëmbur shërbimin diplomatik ka të bëjë edhe me shpërndarjen e pasaportave diplomatike. Top Story do të publikojë emrat e përfituesve kryesor të këtyre pasaportave, në shkelje edhe me ligjin.
Pjesë e dokumentarit investigative janë edhe makinat me targa CD dhe emërimi i konsujve të nderit. Për vite me radhë, biznesmen të ndryshëm janë veshur me imunitet nëpërmjet disa benefiteve të ofruara nga Ministria e Jashtme.
Top Channel