Është ndarë nga jeta gjenerali Rrahman Parllaku. Presidenti i Republikës ka bërë publik lajmin dhe i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes, për këtë humbje të madhe.

“Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve”- shkruan Meta në Facebook.

Ja postimi i plotë i Metës:

Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandatit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë.

Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore.

Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh!

Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar!

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA