Nga Beogradi, ku mbërriti një ditë më parë për një vizitë zyrtare, presidenti i Republikës çeke Millosh Zeman, paralajmëroi se vendi i tij mund ta tërheqë njohjen e Kosovës.

Mediat kosovare shkruajnë se në pritjen e organizuar atij nga kreu i shtetit serb, Aleksandar Vučić, Zeman i ka pëshpëritur këtij të fundit se “nuk i pëlqen Kosova” dhe më pas, në konferencën për shtyp, bëri deklaratën e fortë.

Roli i presidentit në Çeki është gjerësisht ceremonial dhe Zeman e pranoi se nuk ua imponon dot pozicionin e tij institucioneve të tjera, të cilave u takon fjala e fundit mbi këtë lëvizje. Por Zeman u kujdes të theksonte se ajo që mund të bëjë është “t’i japë një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, mbi mundësinë e tërheqjes së njohjes për Kosovën”.

Kreu i shtetit çek shpreson të marrë për këtë nismë të tij mbështetjen e ministrit të Mbrojtjes, Lubomir Mentar, i cili e ka përshkruar më parë si “gabim diplomatic”, vendimi për ta njohur pavarësinë e Kosovës. “Ai me siguri do të jetë në anën time, kush do të jetë në anën tjetër, do ta shohim”, ka thënë Zeman.

Vucici e falenderoi për pikëpamjet e tij rreth Kosovës, dhe tha se e kishte informuar gjerësisht për problemet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndonëse siç u shpreh dhe vetë, nuk e priste që Zeman ta ndërmerrte këtë iniciativë.

Top Channel