Ministrja më jetëgjatë e qeverise të Angela Merkelit, Ursula von der Leyen e plotësoi ekipin e saj me të cilin do të drejtojë Komisionin Europian për pesë vitet e ardhshme

Von der Leyen është femra e parë që merr në dorë frerët e ekzekutivit të BE-së, që përpara saj i mbajti Jean Claude Juncker. Rivali i saj për këtë post në zgjedhjet europiane të majit, holandezi Frans Timmermans do të jetë zëvendëspresident për marrëveshjen e gjelbërt europiane, ndërsa danezja Margrethe Vestager, zëvendëspresidente për epokën digjitale.

Një emër i njohur rikthehet në këtë cabinet: Johannes Hahn, që ka mbajtur deri tani portofolin e zgjerimit e që u kthye në kataliztator të përpjekjeve për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me BE-në , do të jetë komisioner i buxhetit dhe administratës.

Vendin e tij e zë hungarezi László Trócsányi, ish ministër drejtësie në vendin e tij. Ndonëse nuk është anëtar I partisë në pushtet Fidesz, Trócsányi kryesoi listën e saj në zgjedhjet për parlamentin europian, dhe sipas Politico-s, është një kandidaturë që u përball me pikëpyetje, pasi e drejtoi ministrinë e drejtësisë në kohën kur kritikët thonë se qeveria hungareze punonte për të minuar ekuilibrin jetik: kontrollo dhe balanco.

Rezerva ka edhe për komisionerin e bujqësisë, polakun Janusz Wojciechowski, i cili po hetohet nga Agjencia Europiane kundër mashtrimit për shkak të disa shpenzimeve te pasakta në udhëtime, ndërsa rumunia Rovana Plumb akuzohet për korrupsion.

Ekonomia i kalon italianit Paolo Gentiloni, ndërsa portofoli me shumë peshë i politikës së jashtme i është besuar spanjollit Joseph Borrell, ish president i parlamentit europian.

Ish Ministri i Jashtëm spanjoll ka reputacionin e njeriut që thotë hapur atë që mendon dhe që I ka sfiduar autoritetet përgjatë katër dekadave të karrierës në disa prej posteve më të larta në politikën spanjolle e atë europiane.

Top Channel