Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia e Tiranës shtroi drekë në të gjitha qendrat e saj sociale, për njerëzit në nevojë që i frekuentojnë ato.

Po kështu, kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti dhe këshilltarë, vendosën kurora me lule në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën për njerëzit në nevojë në Qendrën Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila mban emrin e bamirëses, Gonxhe Bojaxhiu.

“Mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën, nuk është duke dhënë leksione e duke bërë histori, por duke u sjellë si ajo. Më vjen mirë që të gjithë së bashku e kemi bërë qytetin pak më shumë solidar, siç donte Nënë Tereza. Në qoftë se ajo do të ishte gjallë, nuk do të kërkonte më shumë statuja dhe më shumë statuse në internet, por më shumë njerëz që shërbejnë një pjatë supë”, tha kryebashkiaku.

Veliaj iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve, duke i kërkuar atyre që të jenë më solidarë për të ndihmuar më të moshuarit apo ata që gjenden në vështirësi.

“Dua t’i bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave: Kemi dy shanse në jetë, ose të kthehemi në qaramanë profesionistë dhe të ankohemi përse nuk funksionon çdo gjë perfekt, të ankohemi pse ka varfëri, sëmundje, vuajtje, ose mund të bëjmë diçka; nëse dikujt i mungon një pjatë supë, t’i japim një pjatë supë, nëse dikujt i mungon një çantë shkolle, t’i japim një çantë shkolle, nëse dikujt i mungojnë, fletoret, lapsat dhe librat, t’i japim fletoret, lapsat dhe librat. Sikur secili të bëjë minimumin e vet për të ndihmuar fqinjin e tij, kushëririn, hallexhiun te rruga, atëherë ky popull është realisht populli i Nënë Terezës”, theksoi Veliaj.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA