Sadiku kalon te Malaga, rinovim dhe huazim ‘in extremis’

03/09/2019 18:26

Në orën e fundit të lejuar nga merkatoja e futbollit spanjoll, situata e Armando Sadikut ka marrë një zgjidhje të përkohshme.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare nën presionin e drejtuesve të Levantes, pranoi rinovimin me klubin iberik, duke firmosur në të njëjtën kohë huazimin te skuadra e Ma’lagas.

Bomberi kuqezi kërkonte më shumë minuta lojë pas aventurave aspak të suksesshme në sezonet e fundit dhe pasi arriti akordin me drejtuesit për rinovimin deri në 30 Qershor të vitit 2021, kalon në formacionin që militon në Ligën e Dytë Spanjolle. Janarin e kaluar Armando Sadiku pati probleme serioze me dëmtimin në gju dhe u transferua përkohësisht te Lugano, ku luajti 17 ndeshje dhe shënoi 3 gola.

Futbollisti 28-vjeçar nuk ishte në planet e trajnerit Pako Lopez te Levante dhe kalon në huazim te Malaga, e cila do të paguajë pjesën më të madhe të pagës deri në muajin qershor. Sadiku projektohet për një vend titullar në klubin që humbi japonezin Okazaki për shkak të bilanceve të dobëta financiare.

 

Top Channel