Një afro-amerikan në SHBA, i quajtur Kazim Ojenejin, u nxor nga shtëpia e tij dhe u mbajt i prangosur jashtë, vetëm me të brendshme, derisa u vërtetua që ishte i zoti, pasi një shoku i tij kishte ndezur pa dashur alarmin e sigurisë.

Ojenejin tha për CNN se pasi shoku i tij e kishte ndezur alarmin pa dashur, ai kishte shkuar ta fikte. Më pas ishte shtrirë për të fjetur. Por pas pak minutash kishte ardhur policia dhe i kishte kërkuar të dilte jashtë. Policët e lidhën me pranga, e çuan në makinë dhe e mbajtën aty derisa u bënë verifikimet që ishte i zoti.

Ojenejin, një organizues koncertesh, tha se ky ishte një tjetër rast kur një afro-amerikan hamendësohet menjëherë si vjedhës nga policia në SHBA. Ai tha që policët nuk i kërkuan t’u tregonte kartën identitetit, thjesht e morën menjëherë të prangosur dhe e trajtuan si kriminel.

Policia, nga ana e saj, shpjegoi se patrulla e parë që kishte nxituar fillimisht në vendngjarje, pasi ishte raportuar alarmi, po priste për përforcime dhe nuk kishin si ta vërtetonin që ai ishte i zoti i shtëpisë, pa pasur agjentë të tjerë që të kontrollonin shtëpinë nëse kishte apo jo persona të tjerë të armatosur, ndaj e mbajtën të lidhur e të izoluar për shtatë minuta, derisa erdhën kolegët.

Por Ojenejin thotë që nuk është hera e parë që i ndodh një situatë e tillë. Ai thotë se edhe më parë e kishin nxjerrë nga shtëpia e tij, sepse e kishin kujtuar për anëtar bande kriminale. Në të shkuarën e kishte anashkaluar, por tani që është bërë me fëmijë, Ojenejin thotë se është koha që të ngrejë zërin.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA