Këtë mesjavë luhen ndeshjet e javës së dytë të kategorisë Superiore.

Gjithçka do të nisë me ndeshjen e sotme që do të luhet në orën 19:00 mes Tiranës dhe Teutës. Ditën e mërkurë do të luhen 4 ndeshje mes të cilave është edhe ajo mes Luftëtarit dhe Partizanit. Kampionët e vendit vijnë në këtë ndeshje pas humbjes së pësuar të premten e kaluar ndaj Kukësit 1-0, por trajneri Franco Lerda theksoi se ajo është harruar tashmë, ndërkohë që pranoi se ndaj Luftëtarit e pret një sfidë e vështirë.

“Është e vështirë, e dimë. Sa i përket ndeshjes hapëse do donim ta nisnim mirë me Kukësin, por e kemi harruar atë dhe tani jemi pozitivë. Po shohim pozitivisht dhe mendojmë për ndeshjen e radhës dhe siç e thatë ju nuk është e lehtë”, shprehet trajneri Lerda.

Lerda theksoi se presioni mbi skuadrën ekziston në çdo ndeshje dhe shtoi se Partizani shkon në Gjirokastër edhe për të thyer tabunë me 22 vjet pa fitore në këtë fushë.

“Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por, jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Sapo kemi nisur kampionatin dhe jemi një grup i ri, kështu që duhet të kemi durim dhe besim, por pa presion. Ne e urojmë dhe duam ta thyejmë këtë tabu negative, sepse kemi nevojë për pikë”, shtoi më tej trajneri i Partizanit.

Ditën e mërkurë do të luhen edhe 3 ndeshjet e tjera të superiores ku spikat ajo e Vlorës mes Flamurtarit e Kukësit, ndërkohë që në program janë edhe Laçi-Skënderbeu e Bylis-Vllaznia. të gjitha këto sfida të Superiores do të transmetohen në paketën Supersport të Digitalb.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA